Showbiz

Jason Momoa në bisedime për të luajtur në filmin e ardhshëm “Fast & Furious”

Foto: AP/Associated Press

Aktori i njohur për publikun, Jason Momoa, besohet se është në bisedime për të luajtur në filmin e ardhshëm “Fast & Furious”.

Sipas “The Hollywood Reporter”, ylli i serialit “Game of Thrones” është në negociatat e fundit për t’u angazhuar në rolin e personazhit të lig në vazhdimin e dhjetë të një prej filmave aksion më fitimprurës në arkat filmike.

Studioja prapa këtij projekti, “Universal Pictures”, ende nuk ka pranuar të komentojë rreth këtyre spekulimeve që po qarkullojnë së fundmi në mediat e huaja.

Regjisori Justin Lin i cili e shënoi rikthimin e tij në këtë projekt me filmin e kaluar, “F9: The Fast Saga”, do ta bëjë regjinë edhe të vazhdimit të dhjetë.

Aktorët yje të filmit, Vin Diesel, Michelle Rodriguez, Tyrese Gibson, Chris ‘Ludacris’ Bridges dhe Sung Kang po ashtu rikthehen në projektin e ardhshëm, bashkë me yllin hollywoodian, Charlize Theron, dhe rep artisten e famshme amerikane, Cardi B.

Personazhin e lig në filmin “Fast & Furoius 9” e portretizoi mundësi i shndërruar në aktor, John Cena.

Ndërkohë, Momoa së fundmi ua ofroi fansave pamjen e parë të personazhit shumë të dashur nga publiku, Aquaman, nga filmi i ardhshëm që pritet të lansohet në fund të këtij viti.

Jason Momoa dhe Amber Heard, do të rikthehen në rolet e krijesave të ujit, Aquaman dhe Mera, në vazhdimin e dytë të projektit të njohur të bazuar në librat komik “DC Comics”, krahas aktorëve të tjerë të famshëm, si Patrick Wilson, Dolph Lundgren, Yahya Abdul-Mateen II dhe Temuera Morrison.

“Aquaman and the Lost Kingdom” pritet të lansohet nëpër kinema më 22 dhjetor të vitit 2022.