Aktorët e mirënjohur të Hollywoodit, Isla Fisher dhe ish-bashkëshorti i saj Sasha Baron Cohen, i cili njihet për rolet e tij si “Borat” dhe “Bruno”, kanë bërë të ditur se martesa e tyre ka përfunduar përgjatë vitit të kaluar.
Lajmin e bënë të ditur në një deklaratë të përbashkët në InstaStory, raporton CNN.
“Pas një ndeshje tenisi që zgjati më shumë se njëzet vite, më në fund po i ulim reketët. Në vitin 2023 në mënyrë të përbashkët vendosëm t’i japim fund martesës. Ne do të ndajmë përgjithmonë dashurinë e devotshmërinë që kemi për fëmijët. Sinqerisht e vlerësojmë respektin tuaj ndaj privatësisë tonë”, shkruante në postimin e tyre.

Është përfolur se çifti do të ndahet, pasi aktorja e mirënjohur e Hollywoodit, Rebel Wilson, ka thënë se në librin e saj të ri, që do ta publikojë së shpejti, “Rebel Rising”, do të tregojë haptas rreth disa gjërave jo të mira për komedianin.
Sasha është komediani që krijoi rolet e famshme “Borat” dhe “Bruno”, ai gjithashtu ka luajtur edhe në filma të tjerë si “The Trial of the Chicago 7”.
Isla gjithashtu ka luajtur në filma komedi si “Confessions of a Shopaholic” dhe “Weeding Crashers”.
Sasha dhe Isla u martuan në vitin 2010 pas një fejese të gjatë dhe bashkë kanë tre fëmijë.