Duka i Sussexit, Princ Harry, ka deklaruar se po e përjetonte me ankth kohën kur po i mbushte 30 vjeç, ndërkaq është i entuziazmuar tani që do të bëhet 40 vjeç.
“Isha në ankth për të 30-at, jam i emocionuar për të 40-at”, ka thënë ai përpara ditëlindjes së tij këtë fundjavë.
Në një deklaratë për BBC-në, Princi Harry ka shtuar se dëshiron të bëjë gjëra të mira, pavarësisht moshës.
"Sido qoftë mosha, misioni im është të vazhdoj të shfaqem dhe të bëj mirë në botë", është shprehur Harry.
Ai planifikon të festojë ditëlindjen e tij të 40-të të dielën me familjen e tij në Kaliforni, përpara se të niset për një pushim me një grup miqsh të tij më të ngushtë.
Princi foli gjithashtu për rëndësinë e fëmijëve të tij, Archie, pesë vjeç dhe Lilibet, tre vjeç.
“Të bëhesh baba i dy fëmijëve tepër të sjellshëm dhe qesharak më ka dhënë një perspektivë të re për jetën, si dhe një mprehje në fokusin tim në të gjithë punën time”, ka thënë princi në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi i tij.
"Të jesh baba është një nga gëzimet më të mëdha të jetës dhe vetëm më ka bërë më të prirë dhe më të përkushtuar për ta bërë këtë botë një vend më të mirë”, thuhet më tej në deklaratën e tij.
Dhjetë vjetët e fundit kanë qenë një kohë e trazuar për Princin Harry, të përcjella me ndryshime të mëdha.
Ai mbushi 30 vjeç në vitin 2014, një vit pasi u kthye nga turneu i tij i dytë me ushtrinë britanike në Afganistan.
Ai më parë zbuloi në kujtimet e tij se kishte "kaluar një moment të keq" pasi u kthye, duke vuajtur periudha letargjie dhe "kriza të tmerrshme paniku".
Princi Harry themeloi Lojërat “Invictus” në vitin kur mbushi 30 vjeç, për të cilën ai ka thënë më parë se ishte përgjigja e tij ndaj tronditjes së viktimave në luftë dhe ndjenjës së tij se publiku nuk ishte plotësisht i vetëdijshëm për realitetin e konfliktit.
Gjithashtu pak muaj para se të mbushte 30 vjeç, ai dhe e dashura e tij e atëhershme Cressida Bonas u ndanë.
Princi Harry, i cili është i pesti në radhën e fronit, u takua me Meghan në vitin 2016 dhe u transferua nga Britania e Madhe në Kaliforni në vitin 2020 duke lënë pas jetën e tij në familjen mbretërore.
Përplasja me familjen e tij ka qenë e ashpër dhe publike dhe nuk ka asnjë shenjë pajtimi.
Javët e fundit, kishte pasur spekulime se Princi Harry po shikonte mundësinë për një lëvizje të përhershme në Mbretërinë e Bashkuar. Por ata që e njohin mirë e kanë përjashtuar këtë duke thënë se ai është i lumtur dhe i vendosur për të vazhduar në Kaliforni.