Aktori, Ojani Noa, ish-bashkëshorti i këngëtares me prejardhje latine, Jennifer Lopez, e ka fajësuar reperin P.Diddy për divorcit me yllin.

Duke folur në emisionin “Despierta America”, Noa ka thënë se “Diddy është pjesërisht fajtor për divorcin nga Lopez”. Kjo intervistë është përkthyer nga gjuha spanjishte në anglisht nga Page Six.
Noa, i cili në atë kohë ishte duke punuar për ta hapur restorantin e tij në Los Angeles, ka shpjeguar se gjatë martesës me këngëtaren, patën filluar të kenë probleme kur ajo filloi të bëhej çdo ditë e më e famshme dhe shkoi në New York për të punuar me Diddyn, i cili ishte procudent i disa këngëve të saj.
“Kur erdhi kontrata me kompaninë Sony dhe pagoi miliona, aty ishte Puff, i cili ishte producent i disa këngëve të albumit të saj të parë ‘On The 6’. Në atë moment, në atë distancë kohore kishin filluar të ndodhnin problemet e shumta”, ka thënë ai.
Noa ishte duke punuar në restaurantin e Gloria Estefanit, “Lario’s On The Beach” kur u njoftua me Lopezin, e cila ishte shfaqur në filmin “Money Train” dhe ishte duke bërë xhirimet për filmin “Blood and Wine”.
Në vitin 2022, në një intervistë për “Daily Mail” Noa pati treguar se si jeta e saj prej ylli po ndikonte për të keq në martesën e tyre.
“Ka pasur shumë momente kur më dukej vetja sikur të isha ‘hirushja’ në versionin burrë. Ajo ishte gruaja më e bukur që kam parë ndonjëherë. Në fillim nuk e kam pasur idenë se kush është. U dashuruam kur ajo ishte tashmë e famshme. Por përgjatë martesës tonë ajo u bë shumë e famshme. Për shumë vite ishte e dhimbshme për mua të flisja, doja ta vazhdoja jetën pa parë mbrapa”, pati treguar aktori.
Ai tutje pati shpjeguar se si kanë ndodhur shumë gjëra në jetën e tyre duke kujtuar një telefonatë, në të cilën e kishte pyetur Lopezin se pse po dilte me Diddyn.
“E kam thirrur Jenin dhe e kam pyetur se pse po dilte me të dhe ajo mu përgjigj duke më thënë se ‘Është veç biznes. Kështu po më thonë të veproj’. Unë isha xheloz dhe i bërtita: ‘Por ti je e martuar!’”, ka shpjeguar Noa.

Aktori pati thënë se kur diskutonin për të bërë fëmijë, këngëtarja i thoshte se në atë moment të karrierës së saj nuk ishte e mundur
Pasi çifti u nda, Lopez filloi lidhjen romantike me Diddyn dhe shkonin bashkë nëpër ngjarje publike, ndërkohë që mbante kontakte me ish-burrin e saj duke i thënë “nuk dua të të humbas, dua të të kem në jetën time”.

Lopez, e cila aktualisht është në procedurë divorci me ish-bashkëshortin e saj, aktorin Ben Affleck, me Noan ishte e martuar nga muaji shkurt i vitit 1997 deri në janar të vitit 1998.

P.Diddy tani akuzohet për krime të rënda seksuale në një mori padish kundër tij, të cilat filluan të ngriheshin që nga fund i vitit të kaluar. Ai ndodhet në paraburgim në New York, ndërkohë që mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përkundër dorëzaninë prej 50 milionë dollarësh.
