Një nga të dyshuarit për grabitjen e armatosur të Kim Kardashian, ka thënë se planifikon të marrë përgjegjësinë për rolin e tij në grabitjen e vitit 2016 dhe do të kërkojë falje në gjykatë.
Gjyqi fillon të hënën në Paris.
Yunice Abbas, 71 vjeç, i cili ka pranuar publikisht pjesëmarrjen e tij në grabitje, është në mesin e 10 të dyshuarve që përballen me akuza, duke përfshirë grabitje të armatosur dhe rrëmbim.
"Unë do të kërkoj falje”, ka thënë Abbas për Associated Press.
"E kam fjalën sinqerisht”, ka shtuar ai.
Kardashian, 44 vjeç, pritet të dëshmojë personalisht në gjyqin që planifikohet të zgjasë deri më 23 maj.
Në intervista dhe në shfaqjen televizive reale të familjes së saj, ajo ka përshkruar se ishte e tmerruar pasi hajdutët i drejtuan një armë për të vjedhur bizhuteri në vlerë prej miliona dollarësh në një apartament ku ajo po qëndronte për Javën e Modës në Paris. Ajo ka thënë se mendonte se do të përdhunohej dhe do të vritej.
Abbas ka deklaruar se ai veproi si vëzhgues në zonën e pritjes në katin e parë, duke u siguruar që rruga e arratisjes të ishte e qartë. Ai ka shtuar se ishte i paarmatosur dhe nuk e ka kërcënuar personalisht Kardashianin, por e ka pranuar se ndante përgjegjësinë për krimin.
Ai është arrestua në janar të vitit 2017 dhe ka kaluar 21 muaj në burg përpara se të lirohej nën mbikëqyrjen gjyqësore.
Në llogarinë e saj për hetuesit, Kardashian ka përshkruar dy burra që kishin hyrë me forcë në dhomën e saj të gjumit dhe i kishin drejtuar një armë, duke i kërkuar unazën. Ajo ka thënë se ishte e lidhur me kabllo dhe shirit plastik, ndërkohë që ata po kërkonin bizhuteritë, përfshirë unazën e saj të fejesës me vlerë miliona dollarë.
Ajo u ka thënë hetuesve se burrat e kishin futur në banjë para se të iknin dhe ajo të çlirohej.
Portierja e rezidencës, e mbajtur me armë dhe e detyruar t'i çonte grabitësit në banesën e saj, kishte pësuar gjithashtu ndikim psikologjik.
Hetuesit kanë gjetur ADN-në e Abbasit në lidhjet plastike të përdorura për të lidhur duart e portierit.
I pyetur për traumën që ka pësuar Kardashian, Abbas është shprehur se nuk e kishte menduar këtë gjë.
Sipas Abbasit, pak minuta pasi kishte filluar bastisja, bashkëpunëtorët e tij kishin zbritur nga banesa e Kardashianit dhe i kishin dhënë një çantë me bizhuteri
Drejtësia franceze ka vlerësuar se sendet e vjedhura kapin vlerën e 6 milionë dollarëve në total.
Abbasi ka thënë se nuk e dinte identitetin e Kardashianit në kohën e grabitjes.
"Më thanë për një person të famshëm, gruan e një reperi. Këto janë të gjitha informacionet që kisha. Deri në mëngjesin tjetër, kur dëgjova në TV për të. Atëherë kuptova se kush ishte ajo”, ka thënë ai.
Ai shtuar se do të detajojë rolin e tij gjatë gjyqit, i cili do të zhvillohet me një juri, një procedurë në Francë e rezervuar për krimet më të rënda.
"Unë jam vetëm një i huaj. Nuk jam unë ai që e organizoi rastin. Unë marr pjesën time të përgjegjësisë”, është shprehur ai.
Shumica e të dyshuarve kanë mohuar përfshirjen, përveç Abbas dhe një burri tjetër, ADN-ja e të cilit është gjetur gjithashtu në vendin e ngjarjes.