Afërsisht 10 milionë njerëz e kanë shikuar premierën e serialit, “House of the Dragon”, të dielën mbrëma, duke e bërë atë audiencën më të madhe për çdo serial origjinal të kanalit HBO.
Edhe pse shumica e adhuruesve mbetën të zhgënjyer me finalen e serialit paraardhës, “Game of Thrones”, ata sërish i pushtuan rrjetet sociale me postime rreth projektit të ri televiziv. Të dielën, për 14 orë rresht, “House of the Dragon” u shndërrua në trend në rrjetin social Twitter si dhe ishte projekti më i kërkuar në Google. Kështu bëri të ditur kanali HBO. Sigurisht që në ditët në vazhdim, interesimi i njerëzve për ta shikuar serialit do të rritet.
Seriali i ri duhej patjetër të kishte performancë të mirë, pasi çdo episod i tij kushton 15 deri në 20 milionë dollarë për t’u realizuar. Dhe duke qenë se këto javët e fundit, platforma HBO Max e ka anuluar realizimin e disa serialeve dhe filmave, për t’u bërë gati për bashkimin e saj me Discovery+, shumica e fitimeve për kompaninë varen nga suksesi i këtij projekti.
I bazuar në librin e autorit George R.R. Martin, “Fire and Blood, House of the Dragon”, seriali i ri fokusohet në historinë e familjes Targaryen. Ngjarja zë vend 200 vjet para zhvillimeve të serialit rekordthyes, “Game of Thrones”. Në rolet kryesore të shout vijnë aktorët, Milly Alcock, Matt Smith, Olivia Cooke, Paddy Considine, Eva Best dhe të tjerë.