E quajnë “Mbretëreshë të Rock ’n' Rollit” për një arsye. Ylli i ndjerë, Tina Turner, një prej artisteve më të popullarizuara të botës, e cila vdiq në vitin 2023 pas një sëmundjeje të gjatë, ka lënë pas një katalog të pasur me këngë klasike. Dhe tani ekziston një këngë e papublikuar më parë e këngëtares, të cilën publiku do të ketë mundësi ta shijojë së shpejti.
“Hot For You Baby” është një këngë e zhurmshme rok e viteve ’80, e karakterizuar nga tonaliteti i ashpër i Turnerit, dhe është mjaft e lezetshme dhe gazmore në të njëjtën kohë. Po ashtu është kënga e parë e papublikuar më herët, që do të përfshihet në incizimin e ardhshëm që feston 40-vjetorin e lansimit të albumit të saj përcaktues të karrierës, “Private Dancer”, i cili do të jetë në dispozicionin e publikut më 21 mars. Ky projekt do të jetë i disponueshëm në disa formate, përfshirë një version Blu-ray me 5 CD, i cili përfshinë disa këngë të padëgjuara më herët, performance live të këngëtares dhe videoklipe muzikore.
Kënga “Hot For You Baby”, e shkruar nga këngëtari australian John Paul Young dhe prodhuar nga John Carter, fillimisht ishte planifikuar të përfshihej në albumin e vitit 1984 të Turnerit.
“Private Dancer” kishte debutuar në vendin e tretë të toplistës “Billboard 200”, dhe pjesë e tij ishte hiti i parë i këngëtares i pozicionuar në vendin e parë të toplistës së 100 këngëve më të mira, “What’s Love Got to Do With It”.
Tina Turner shquhet për hite të shumta muzikore të realizuara ndër vite, si “Proud Mary”, “Nutbush City Limits”, “River Deep, Mountain High”, “We Don’t Need Another Hero” dhe të tjerë.