Kampion i javës në arkat filmike të Amerikës Veriore është një film i zhanrit horror. Me titull “Smile”, ky projekt arriti që të pozicionohet në vendin e parë të listës, falë 17.6 milionë dollarëve të fituara ekstra nga shitja e biletave, të cilat i shtohen shumës së arkëtuar deri më tani, prej 50 milionë dollarësh. Horrori psikologjik “Smile” vjen me skenar dhe regji të Parker Finnit dhe bazohet në filmin e metrazhit të shkurtër të vitit 2020, “Laura Hasn’t Slept”. Rolin protagonist e luan aktorja Sosie Bacon. Ajo e portretizon një psikiatre e cila pasi sheh vetëvrasjen e çuditshme të një pacienti, kalon nëpër përvoja gjithnjë e më shqetësuese dhe të frikshme, duke e bërë atë të besojë se ajo që po përjeton është e mbinatyrshme.
Në vendin e dytë, me 11.5 milionë dollarë të fituara e gjejmë filmin, “Lyle, Lyle, Crocodile”, i cili i takon zhanrit komedi, mjuzikëll dhe animacion. Ky po konsiderohet një debutim i mirë i filmit në arkat filmike, i cili në rolet kryesore i sjell yjet, Shawn Mendes, Javier Bardem, Constance Wu, Winslow Fegley, Scoot McNairy dhe Brett Gelman. “Lyle, Lyle, Crocodile” fokusohet në tregimin për fëmijë me të njëjtin emër. Kur familja Primm zhvendoset në qytetin e Nju Jorkut, djali i tyre i vogël, Josh, lufton të përshtatet me shkollën dhe miqtë e tij të rinj. E gjithë kjo ndryshon kur ai e zbulon Lylen, një krokodil që këndon dhe që i pëlqen banjat, kaviarin dhe muzikën e mirë.
Në vendin e tretë këtë javë arriti të pozicionohet komedia misterioze, “Amsterdam”, e cila vjen me skenar dhe regji të David O. Russellit. Brenda tri ditëve të para të shfaqjes, ky projekt i arkëtoi gjithsej 6.5 milionë dollarë. I inspiruar nga një konspiracion politik i vitit 1930, filmi e përfshinë një kastë aktorësh të listës A në Hollywood, si Christian Bale, Margot Robbie, John David Washington, Chris Rock, Anya Taylor-Joy, Zoe Saldaña, Mike Myers, Michael Shannon, Timothy Olyphant, Andrea Riseborough, Taylor Swift, Matthias Schoenaerts, Alessandro Nivola, Rami Malek dhe Robert De Niro. “Amsterdam” e rrëfen historinë e tre miqve që janë dëshmitarë të një vrasjeje dhe e zbulojnë një nga komplotet më të jashtëzakonshme në historinë amerikane.
Me 5.3 milionë dollarë të arkëtuara ekstra, në pozitën e katërt gjendet filmi “The Woman King”. Ky është një film epik dhe aksion i realizuar me një buxhet prej 50 milionë dollarësh. Ngjarja e tij zhvillohet në Afrikën Perëndimore në vitin 1820, dhe flet për një ushtri të grave në mbretërinë Dahomey. Krijuar kryesisht nga gratë dhe me një kastë aktoresh pothuajse të gjitha afrikano-amerikane, “The Woman King” është ndryshe nga çdo gjë që Hollywoodi e ka prodhuar deri më tani. Në rolin protagonist e sjell yllin e kinematografisë, Viola Davis, kurse krahas saj po ashtu luajnë aktorët, Thuso Mbedu, Lashana Lynch, Sheila Atim dhe John Boyega.
Top-pesëshja këtë javë u plotësua me trileri psikologjik, “Don’t Worry Darling”, i aktores së shndërruar në regjisore Olivia Wilde. Në javën e tretë të shfaqjes nëpër kinema, ky projekt i arkëtoi gjithsej 3.5 milionë dollarë të cilat i shtohen shumë së arkëtuar deri më tani, që e kap shifrën 38.5 milionë dollarësh. “Don’t Worry Darling”, e rrëfen historinë e çiftit të martuar, Jack dhe Alice, të portretizuar nga Harry Styles dhe Florence Pugh. Ata jetojnë në një bashkësi utopike eksperimentale të quajtur “Victory”. Por, ndërsa të gjithë të tjerët në lagje duken të kënaqur dhe e pranojnë jetën e tyre në këtë komunitet, Alice fillon të ketë dyshime në qëllimin e tyre. Në film, po ashtu, luajnë yjet e kinematografisë, Chris Pine, Gemma Chan, KiKi Layne, Nick Kroll dhe të tjerë.