Showbiz

Hidhet poshtë padia që ngriti ish-partnerja kundër Nicolas Cage

Nicolas Cage

Nicolas Cage

Foto: Associated Press

Aktori 61-vjeçar Nicolas Cage është liruar nga akuzat e një padie të ngritur nga ish-partnerja e tij, Christina Fulton, e cila e akuzonte për neglizhencë ndaj shëndetit mendor të djalit të tyre, Weston Coppola Cage, dhe “që ia lejoi ta sulmonte në prill të 2024-s”.

Sipas revistës PEOPLE, dokumentet gjyqësore konfirmojnë se pretendimet kundër Cageit janë hedhur poshtë, ndërsa ato kundër Westonit mbesin në fuqi.

Avokati i Fultonit ka kërkuar pushimin e padisë ndaj aktorit, dhe pasi ajo u refuzua, Fulton nuk do të mund ta ndjekë më ligjërisht këtë çështje kundër tij.

Avokati i yllit të filmit “Dream Scenario” ka reaguar ndaj akuzave, duke i quajtur “absurde dhe të pabaza”.

“Weston Coppola është një burrë 34-vjeçar. Z. Cage nuk kontrollon sjelljen e tij në asnjë mënyrë dhe nuk është përgjegjës për sulmin e supozuar të Westonit ndaj nënës së tij”, ka thënë avokati i tij për “E News”.

Padia, e cila u dorëzua në gjykatën e lartë të Kalifornisë dhe u sigurua nga “People”, pretendonte se Cage kishte “dështuar të ndërmerrte veprime për të parandaluar dhunën e djalit të tyre”.

Dokumentet përmendin se Westoni ka “histori të gjatë të çrregullimeve mendore dhe psikologjike, si dhe të dhunës fizike ndaj individëve të ndryshëm”.

Fulton ka thënë se ka pësuar lëndime të rënda dhe kërcënuese për jetën, përfshirë tronditje të trurit, dëmtime të syrit, trauma dentare, PTSD dhe dëmtime psikologjike, të cilat ndikuan në karrierën e saj si modele dhe aktore.

Ajo ndaj Caget kishte ngritur padi për neglizhencë në mbikëqyrje dhe neglizhencë në përkujdesje, ndërsa Weston vazhdon të përballet me akuza për sulm, dhunë fizike, shkaktim të qëllimshëm të ankthit emocional dhe neglizhencë që ka çuar në dëmtime emocionale.