Showbiz

Helen Mirren tregon për “problemin” që ka me fjalën “bukuri”

Helen Mirren

helen Mirren

Në moshën 79-vjeçare, aktorja Helen Mirren, ambasadore e markës “L'Oréal Paris”, vazhdon të sfidojë konceptet tradicionale të bukurisë. 

Ajo ka menduar gjithmonë se termi “bukuri” duhet të përfshijë më shumë sesa vetëm pamjen fizike dhe ka thënë se është optimiste që bota po fillon të përputhet me këtë perspektivë.

“Unë gjithmonë kam pasur ‘problem’ me fjalën ‘bukuri’, sepse ajo nënkupton që po kërkon të jesh e bukur në një mënyrë të jashtme. Sigurisht, ka shumë lloje të ndryshme bukurie në botë, është term shumë i gjerë. Si ambasadore e një kompanie të produkteve të bukurisë, gjithmonë kam dashur të them, ‘Ne nuk po përpiqemi të jemi të bukur, po përpiqemi të jemi origjinalë, të sinqertë, me gëzim dhe në mënyrë pozitive vetvetja jonë, qoftë kjo bukur apo jo’”, ka thënë ajo për revistën People.

Aktorja është shprehur e kënaqur që bota ka filluar ta kuptojë këtë mendim.

“Mendoj se ajo që ka ndodhur është që bota ka arritur të kuptojë paksa qëndrimin tim… fatmirësisht”, ka thënë Mirren.

Pavarësisht qëndrimit të saj më të gjerë për bukurinë, fituesja e çmimit “Oscar” ende gjen kënaqësi në grim, veçanërisht kur bëhet fjalë për momentet “transformuese” gjatë xhirimeve, kur ajo mund të shndërrohet në një personazh falë departamentit të kostumeve.

“Unë e adhuroj rregullimin e ndonjë personazhi me makijazh, paruke dhe kostume, si dhe procesin transformues të të qenit aktore. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse unë e dua botën e grimit, kostumeve dhe modës, sepse është gjithçka transformuese”, ka shpjeguar ylli.

Përtej Hollywood-it, Mirren shijon momentet e thjeshta që natyra ofron, duke thënë se ndjen paqe kur është jashtë në natyrë.

“Më pëlqejnë momentet e thjeshta, të jesh në një kodër të bukur në Skoci ose në Poloni, ose kudo që jam dhe të ndihesh një me natyrën. Mendoj se është mirë kur e ndien veten në harmoni me natyrën e si pjesë e saj”, ka thënë tutje Mirren.