Showbiz

Gwyneth Paltrow reagon ndaj thashethemeve për konflikt me Meghan Marklen

Gwyneth Paltrow dhe Meghan Markle

Gwyneth Paltrow dhe Meghan Markle

Foto: Associated Press

Aktorja 52-vjeçare, Gwyneth Paltrow, ka reaguar ndaj thashethemeve se ka një konflikt me dukeshën e Sussexit, Meghan Markle. Zërat u përhapën pas një videoje të publikuar nga aktorja në Instagram, ku ajo shfaqej duke përgatitur mëngjesin në kuzhinën e saj, e veshur me pizhame, ka raportuar “The New York Post”.

Disa përdorues të rrjeteve sociale interpretuan postimin si një “thumbim” ndaj Marklet, e cila së fundmi ka lansuar një emision në platformën transmetuese “Netflix” të quajtur “With Love, Meghan”, si dhe një markë të re stilit të jetesës të quajtur “As Ever”. Komentuesit lavdëruan Paltrown për “natyrshmërinë” e saj dhe për faktin se filmoi në kuzhinën e saj të vërtetë, duke e krahasuar me zgjedhjen e Marklet për të xhiruar në një fermë të improvizuar për emisionin e saj.

“Asnjë shtëpi e rreme, kuzhinë e rreme, shtesa të rreme për flokë, miq të rremë, thjesht vetja jote e bukur dhe e vërtetë”, ka shkruar një komentues.

Megjithatë, Paltrow ka reaguar, pasi një ndjekës e ka pyetur përmes Instagram Story nëse e kuptonte pse po flitej për një konflikt mes saj dhe Marklet.

“A e kupton këtë ‘konflikt’ me Meghan Markle për të cilin po flitet në rrjete sociale?” - ishte pyetja.
 

“Sinqerisht, nuk e kuptoj këtë”, u përgjigj Paltrow me humor, duke lexuar pyetjen me zë të lartë. Më pas, ajo e ktheu kamerën dhe tregoi Marklen e cila ishte ulur në tavolinë duke ngrënë diçka. Markle dukej e habitur dhe bëri një shenjë me supet, duke treguar se as ajo nuk e kuptonte për çfarë bëhej fjalë.

Stories • Instagram

Markle e shpërndau videon në Instagram Story të saj vetëm 15 minuta pas publikimit të Paltrowit. Videoja u regjistrua në shtëpinë e Paltrow në Montecito, Kaliforni, zonë ku jetojnë edhe Markle me princin Harry.

Në një intervistë për Vanity Fair, Paltrow kishte deklaruar se, megjithëse jetojnë afër, nuk i njeh personalisht Meghanin dhe Harryn. 

“Jam e habitur, duke marrë parasysh sa afër jetojmë. Kam takuar Meghanin dhe më është dukur shumë e këndshme, por nuk e njoh vërtet”, pati thënë Paltrow.

Disa kritikë e kanë konsideruar emisionin e Marklet në “Netflix” si të pandershëm dhe madje e kanë quajtur “si ushtrim i narcizmit”, megjithëse ai është rinovuar për një sezon të dytë dhe ka hyrë në Top 10 globale të “Netflixit” në javën e parë të transmetimit.

Paltrow, megjithatë, shprehu mbështetje për Markle duke thënë se “çdokush e meriton një mundësi për të provuar gjithçka që dëshiron.”

“Unë jam rritur duke parë gratë e tjera si mike, jo si rivale. Ka gjithmonë mjaft për të gjithë”, ka thënë ajo.

Aktorja e ka kujtuar këshillën e së ëmës, aktores Blythe Danner, e cila i kishte thënë: “Një grua tjetër kurrë nuk është konkurrenca jote... Ajo që është për ty, do të të gjejë”.