Showbiz

Paltrow: Hollywoodi ka ndryshuar pas lëvizjes #MeToo

Gwyneth Paltrow

Gwyneth Paltrow

Gwyneth Paltrow ka thënë se Hollywoodi ka pësuar një transformim të rëndësishëm që nga fillimi i lëvizjes #MeToo. 

Aktorja 52-vjeçare, e cila është rikthyer në ekran me filmin e ri “Marty Supreme”, ka thënë se kultura e industrisë së filmit ka ndryshuar dukshëm.

“Takimet në dhomat e hoteleve nuk ndodhin më, ose nëse ndodhin, ka disa persona të pranishëm. Ai realitet ka marrë fund. Jam e sigurt që abuzimi i pushtetit ekziston ende, sepse ndodh kudo, por gjërat kanë ndryshuar”, ka thënë Paltrow për Vanity Fair.
 

Në filmin e ri, Paltrow ka xhiruar disa skena intime me aktorin Timothée Chalamet, por ka refuzuar të punojë me një koordinator intimiteti, duke shpjeguar se kjo do t’ia kufizonte performancën e saj.

“Ne menduam, ‘Jemi mirë, mund të qëndroni pak më larg’. Nëse dikush do të më tregonte çdo lëvizje, do të ndihesha shumë e kufizuar si artiste”, ka thënë ajo.
 

Paltrow ka pranuar më parë se e kishte arritur shumicën e objektivave të saj në aktrim para moshës 30-vjeçare. Tani, ajo është fokusuar kryesisht te marka e saj e stilit të jetesës dhe nuk e sheh më aktrimin si prioritet.

“Nëse e arrin majën kur je 26 vjeçe dhe je një person që mat suksesin me rezultate, por që, për të qenë e sinqertë, nuk e dashuron aq shumë aktrimin, atëherë fillon të pyesësh veten: ‘Kush duhet të jem tani? Çfarë duhet të ndjek?’”, ka thënë ajo për SiriusXM.