Këngëtarja e njohur Gwen Stefani ka zbuluar sekretin e martesës së saj të lumtur me kantautorin e muzikës country, Blake Shelton. Stefani thotë se kjo përfshin dikë që nuk është fizikisht pranë tyre, por gjithmonë i pranishëm.
“Këshilla më e mirë që kam marrë ndonjëherë për dashurinë? Të sigurohesh që ke një palë të tretë”, ka thënë Stefani në emisionin “The Drew Barrymore Show”, duke treguar me gisht nga qielli, ajo ka sqaruar se po i referohej Zotit, ka raportuar “The New York Post”.
55-vjeçarja, e cila me grupin No Doubt njihet për hitet si “Don’t Speak” dhe për këngët solo si “Hollaback Girl”, foli gjithashtu për këngën e saj të preferuar të dashurisë.
“Shania Twain, ‘You’re Still the One’, është një këngë perfekte”, ka thënë ylli.
Në një lojë me pyetje të shpejta, aktorja dhe prezantuesja e emisionit, Drew Barrymore, e pyeti nëse preferon një mbrëmje romantike jashtë apo në shtëpi.
“Padyshim në shtëpi. Divan, batanije, biskota, patatina, kjo jam unë!”, u përgjigj Stefani me të qeshur.
Dyshja u njohën në vitin 2014 gjatë sezonit të shtatë të spektaklit “The Voice”, kur Stefani iu bashkua si trajnere. Në atë kohë, ajo ishte e martuar me rokerin Gavin Rossdale, ndërsa Shelton me këngëtaren Miranda Lambert. Të dy finalizuan ndarjet nga partnerët e mëparshëm në muajin korrik të vitit 2015.
Pas një kënge të Sheltonit, që e preku emocionalisht, Stefani dhe ai nisën të dilnin bashkë po atë vit. U martuan në korrik të vitit 2021, në një ceremoni private në pronën e Sheltonit në Oklahoma.
Megjithëse vijnë nga zhanre të ndryshme muzikore, ata kanë bashkëpunuar në disa duete të pëlqyera nga publiku si “Nobody But You”, “You Make It Feel Like Christmas”, “Happy Anyëhere” dhe së fundmi “Purple Irises”, që është pjesë e albumit të Stefani “Bouquet”.
Stefani ka tre djem, Kingston, Zuma dhe Apollo, nga martesa me Rossdale. Kurse Shelton, edhe pse nuk ka fëmijë biologjikë, është angazhuar thellësisht në rolin e tij si njerk.
“Edhe pse jam njerk, e marr këtë rol shumë seriozisht. Fëmijët më shohin si një figurë të rëndësishme në jetën e tyre”, pati deklaruar ai në një intervistë për “People” në vitin 2022.