Bateristi i grupit “Radiohead”, Philip Selway, ka deklaruar se po planifikojnë të pauzojnë një vit nga puna e përbashkët, me qëllim që të fokusohen në projektet e tyre vetjake.
Albumi i fundit i bendit “A Moon Shaped Pool” u lansua në vitin 2016, dhe ishte mjaft i suksesshëm në tregun muzikor. Por, adhuruesit të cilët me padurim kanë pritur muzikë të re nga grupi, duket se do të duhet të presin së paku deri në vitin e ardhshëm, që një gjë e tillë të ndodhë, transmeton Koha.net.
“Gjithnjë kemi bisedime dhe plane për muzikë të re, por gjithashtu kemi pasur shumë projekte vetjake të cilat e kërkojnë përkushtimin tonë. Kështu që, gjatë 2020-s do të pauzojmë nga grupi “Radiohead”, por do të rikthehemi sërish për të bashkëpunuar vitin e ardhshëm,” citohet të ketë thënë Selway për portalin “NME”.
I pyetur nëse viti 2021 do ta shënojë një rikthim të fuqishëm të bendit “Radiohead”, Selway tha: “Do ta shohim. Jemi duke diskutuar për këtë”.
“Radiohead” së fundmi e ka ngarkuar gjithë diskografinë e tij në platformën “YouTube”, i ka kënaqur fansat duke i ndarë me ta 18 orë muzikë nga albumi i papublikuar i grupit “OK Computer”, e ka lansuar një ‘librari publike’ e cila e përfshinë një katalog të gjerë të fotografive të rralla nga arkiva, dhe po ashtu, antarët e bendit kanë qenë mjaft të zënë me solo projekte.
Në vitin 2018, vokalisti Thom Yorke e shkroi kolonën zanore të filmit horror, “Suspiria”, para se ta lansonte solo albumin e shumëpritur dhe një film të shkurtër me titull “ANIMA”. Kitaristi Ed O’Brien, i ka ndarë me fansat disa këngë nga solo albumi i tij me titull, “EOB”. Derisa Philip Selway, po ashtu po planifikon ta fillojë punën rreth albumit të tij të tretë si solo artist.