Ata janë mbi 70-vjeç dhe e njohin mirë burgun. Por javën e ardhshme, një grup burrash të quajtur nga shtypi francez si “grabitësit gjyshër” (grandpa robers) do të dalin në gjyq për një prej grabitjeve më të famshme të dekadës: vjedhjen e bizhuterive të Kim Kardashianit gjatë “Javës së Modës” në Paris, në vitin 2016, ka raportuar agjencia “Reuters”.
Ylli televiziv pritet të udhëtojë drejt Parisit për të dëshmuar personalisht kundër dhjetë të pandehurve, sipas avokatit të saj. Gjyqi do të zgjasë afro një muaj dhe do të zhvillohet me praninë e publikut dhe mediave ndërkombëtare.
Në një intervistë me David Letterman në vitin 2020, Kardashian ka treguar se si grabitësit i bërtisnin në frëngjisht: “Unaza! Unaza!”
“Po e shikoja portierin dhe e pyesja me sy: ‘A do të vdesim?’ I thashë: Kam fëmijë... më lini të shkoj”, ka thënë Kardashian.
Grabitësit hynë në apartamentin luksoz ku qëndronte ajo, të maskuar me rroba policie dhe me armë. Ata e lidhën në dhomën e gjumit dhe i morën një unazë fejese me vlerë 4 milionë dollarë dhe bizhuteri të tjera me vlerë totale rreth 9 milionë dollarë.
Në atë natë, truproja i saj kishte shoqëruar motrën e saj, Kourtney në një klub nate.
Apartamenti, ku ndodhi grabitja, ishte pjesë e një godine të fshehtë pas kishës Madeleine, me hyrje sekrete dhe çmime që arrinin deri në 15,000 euro nata, i frekuentuar shpesh nga yje të muzikës dhe filmit.
Hetuesit u ndihmuan nga gjurmët e ADN-së në shirita plastike që ishin përdorur për t’i lidhur kyçet e duarve të Kardashianit, dhe arrestimet u bënë në muajin janar të vitit pasues.
Një nga të akuzuarit, Yunice Abbas, 71 vjeç, ka pranuar përfshirjen e tij në vjedhje, por ka mohuar se ishte organizatori apo se kishte dijeni për përdorimin e armëve.
“Unë jam pensionist, kam kaluar 20 vjet në burg. Ky ishte ‘punimi i fundit’,” tha ai për televizionin francez TF1.
Ai ka shtuar se kishte dëgjuar se në shënjestër ishte një diamant i madh, por nuk e kishte idenë se viktima ishte një miliardere e famshme.
Abbas dhe të tjerët u arratisën me biçikleta, një ironi dramatike për një grabitje që për pak nuk e përfundoi me sukses. Ai ra nga biçikleta dhe humbi disa prej bizhuterive në trotuar.
Ekipi ligjor i Kim Kardashian nuk ka dhënë detaje mbi deklaratat që ajo do të japë në gjyq, por ka konfirmuar se ajo nuk do të komentojë publikisht deri në përfundim të procesit
“Zonja Kardashian dëshiron që gjyqi të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe me respekt për të gjitha palët”, thuhet në deklaratë.