Aktori më famë botërore Gerard Depardieu është akuzuar për sulm seksual dhe gjyqi kundër tij pritet të fillojë në muajin tetor të këtij viti.
Prokuroria publike e Parisit ka bërë të ditur se aktori francez akuzohet për sulm seksual ndaj dy grave përgjatë xhirimit të një filmi në vitin 2021, raporton Reuters.
Depardieu është një nga yjet më të mëdha të filmit me prejardhje nga Franca, i cili përgjatë viteve të fundit, ka qenë në qendër të akuzave për sulme seksuale.
Depardieu, i cili ishte duke u marrë në pyetje për disa ditë nga policia, vazhdimisht i ka mohuar akuzat. Një nga avokatët e tij, Christian Saint-Palais, ka thënë për BFM TV se aktori është i lirë, pa ndonjë masë sigurie.
Prokuroia publike gjithashtu ka bërë të ditur se aktori është paditur edhe për një tjetër rast, në muajin gusht të vitit 2018, me pretendimin për sulm dhe dhunim seksual. Gjykata pati mbyllë atë çështje dhe ia lanë në dorë prokurorisë publike të Parisit.
Një burim ka thënë për Reuters se Depardieu gjithashtu është akuzuar për sulm seksual edhe në një sheshxhirim në vitin 2014.
Rasti i Depardieut ka nxitur reagime në shoqërinë franceze, pasi disa gra po e shohin si simbol të paaftësisë shtetërore për ta cilësuar rastin si abuzim seksual nga një burrë me pushtet, sikur kishte bërë lëvizja “Me too” në SHBA, pas së cilës shumë gra të famshme e ngritën zërin kundër Harvey Weinstein, të cilin më 19 dhjetor të vitit 2022 gjykata e Los Angelesit, e shpalli fajtor për dy sulme seksuale dhe një dhunim seksual, pas akuzave të një gruaje anonime, e emëruar si Jane Doe 1.