Showbiz

Gjykimi i Gérard Depardieu për ngacmim seksual: Prokurori kërkon dënim me 18 muaj burgim me kusht

Gérard Depardieu

Gérard Depardieu

Foto: Associated Press

Prokurori i shtetit ka kërkuar që aktori francez Gérard Depardieu, i cili gjykohet nën akuzat për ngacmim seksual ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit “Les Volets Vert” (Dyert e Gjelbërta) në Paris në vitin 2021, të shpallet fajtor për akuzat dhe tëdënohet me 18 muaj burgim me kusht, ka raportuar The Guardian.

Ai akuzohet për ngacmim seksual të një dekorueseje të setit të xhirimit dhe një asistenteje të regjisorit. 

Depardieu ka mohuar çdo akuzë dhe ka thënë para gjykatës se “e mohoj çdo gjë”. Gjatë fjalës përfundimtare prokurori të enjten, në ditën e fundit të gjykimit, ka kërkuar që aktori të shpallet fajtor dhe ka thënë se ai nuk ka reflektuar mbi veprimet e tij.

Paneli prej tre gjyqtarëve do të shpallë verdiktin për rastin më 13 maj. Nëse Depardieu shpallet fajtor, ata do të vendosin për dënimin. Ai mund të përballet me deri në pesë vjet burgim, dënimi maksimal për këtë akuzë, dhe gjobë prej 75,000 €.

Prokurori i shtetit ka thënë se aktori duhet të gjykohet “si çdo qytetar tjetër përpara ligjit”, pa marrë parasysh statusin e tij të famshëm. Ai ka thënë se Depardieu ka ngacmuar gra “në një pozicion më të ulët” që ishin ekonomikisht të varura nga seti i filmit sepse ai ishte vendi i tyre i punës.

Në dëshminë e saj, Amélie, dekoruese e setit të xhirimeve, ka thënë se Depardieu e kishte bllokuar atë mes kofshëve të tij dhe kishte kapur trupin e saj gjatë xhirimeve. Prokurori i shtetit ka thënë se ky ishte “pa dyshim” një ngacmim seksual, për të cilin kishte tre dëshmitarë.

Asistentja e regjisorit, tani 34 vjeçe, e cila nuk është identifikuar në media, ka thënë se Depardieu e kishte prekur në të pasmet dhe gjoksin në dy raste të ndryshme. Prokurori ka thënë se kjo gjë përbënte ngacmim seksual dhe që anëtarët e tjerë të stafit të filmit kishin qenë të informuar në atë kohë.

Depardieu, ylli më i madh i kinemasë franceze që është ballafaquar me gjyq për ngacmim seksual që pas lëvizjes #MeToo, është përshkruar nga avokatët e grave si “predator seksual” dhe “mizogjinist”.

Avokatja e Améliet, Carine Durrieu Diebolt, ka thënë se aktori kishte kryer sjellje të papranueshme për dekada me “njerëz të vegjël” në botën e kinemasë.

“Ndoshta mendoni se ai është një aktor i shkëlqyer dhe i doni filmat e tij. Depardieu është gjithashtu një predator seksual”, ka thënë ajo në gjykatë.

Ajo ka thënë se shumë njerëz në botën e kinemasë kishin mbajtur të heshtura çështjet për ngacmimet e tij seksuale ndaj stafit dhe anëtarëve të tjerë. Statusi i tij si aktor e kishte bërë atë një fuqi të madhe artistike dhe ekonomike në industrinë e filmit, në kontrast me paditësit që rrezikonin të përjashtoheshin nëse flisnin, ka thënë Durrieu Diebolt. Ajo e denoncoi atë që e quajti “sistem të paanshëm”.

 “Zoti Depardieu, kur i prek trupat e grave, po ushtron pushtetin e tij mbi to”, ka shtuar avokatja.
Ajo tutje ka thënë se aktori përdorte komente seksuale të pahijshme gjatë gjithë ditës në setin e filmit, duke krijuar një atmosferë mizogjinie “të ambientuar”.

Claude Vincent, avokatja e asistentes së regjisorit, ka lexuar një listë të gjatë fjalësh të papërshtatshme dhe komentesh të pahijshme që Depardieu supozohet të ketë përdorur ose bërë.
“Kështu sillet Gérard Depardieu në një set filmi, kjo është atmosfera që ai imponon përreth tij”, ka thënë ajo para gjykatës. Ajo e quajti Depardieun “një mizogjinist mes mizogjinistëve”.

Gjatë gjykimit, Depardieu ka pranuar që kishte përdorur gjuhë të pahijshme në setin e filmit, por ka mohuar ngacmimin seksual.

Avokati mbrojtës i Depardieut, Jérémie Assous, iu drejtua gjykatës në fjalën përfundimtare dhe tha se Depardieu nuk ishte fajtor dhe se rasti kishte qenë një “makth” dhe “ferr” për aktorin.