Gjykatësja nga New Yorku, Analisa Torres ka vendosur se gruaja e cila në padinë e saj kundër mogulit të repit P.Diddy, e ka përmendur edhe reperin Jay-Z, mund të vazhdojë që tani për tani ta mbajë të fshehtë identitetin.
Vendimi se paditësja e idnetifkuar si "Jane Doe", mund të mbetet anonime është marrë të enjten.
Nëse rasti vazhdon, "Jane Does" mund t'i kërkohet ta zbulojë identitetin, ka shkruar Fox News, duke iu referuar dokumenteve që ka parë gazetari i mediumit.
Gjykatësja, në një dokument gjyqësor, ka kritikuar avokatin e Jay-Z, Alex Spiro, për mënyrën se si po e trajton çështjen ligjore.
“Është i papërshtatshëm dhe i paefektshëm përdorimi i gjuhës ofenduese dhe sulmuese nga avokati”, ka thënë gjykatësja duke e quajtur këtë një mënyrë që humb kohën dhe dëmton burimet gjyqësore, pa sjellë asnjë dobi për klientin e tij.
Gjykatësja ka theksuar gjithashtu se nuk do të përshpejtohet procesi gjyqësor thjesht sepse një palë e kërkon këtë me insistim.
Kjo ndodhi pas Jay-Z, ka kërkuar të hidhet poshtë padia për përdhunimin dhe gjithashtu ka refuzuar kërkesën e paditëses për të mbetur anonime.
Gruaja në padinë e saj ndaj P.Diddyt, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, ka pretenduar se ai dhe një tjetër person i famshëm e kanë dhunuar kur ishte 13 vjeçe, në një ndejë të organizuar pas spektaklit të ndarjes së çmimeve “MTV Video Music Awards”.
Javë me parë, paditësja, e ka zbuluar emrin e të famshmit, që sipas saj e dhunoi bashkë me Combsin, duke thënë se ai është reperi i njohur Jay-Z, emri i vërtetë i të cilit është Shawn Carter.
Ndërkohë, në padinë e saj thuhet se përveç që Combs e Carter e kanë dhunuar, në dhomë duke shikuar aktin ishte edhe një grua e famshme, identitetin e së cilës nuk e ka bërë të ditur ende.
Spiro, ka deklaruar se “akuzat kundër Jay-Zs janë të rreme” duke shtuar se përmbajtja e padisë nuk përputhet me realitetin.
“Dua të sigurohem që kjo të jetë e qartë: kur njerëzit trillojnë diçka, me apo pa qëllim, gjithnjë mund ta tregojnë mirë pjesën thelbësore të historisë. Por kur bëhet fjalë për detajet, gjithnjë do t'i ngatërrojnë. Kur diçka nuk është e vërtetë, kur diçka nuk ka ndodhur, gjithnjë detajet do të jenë në mospërputhshmëri sepse nuk ke qenë me të vërtetë aty”, pati thënë Spiro për Hollywood Reporter.
Ndërkohë Combs, ndodhet në paraburgim në Brooklyn të New Yorkut.
Ai po përballet me akuza për krime seksuale, të cilat vazhdimisht i ka mohuar me forcë.
Mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përkundër dorëzanisë prej 50 milionë dollarësh amerikanë.
Gjykimi ndaj tij pritet të fillojë në fillim të muajit maj të vitit 2025.