George Clooney po jeton një jetë që mund t'i surprizojë shumë njerëz, ka shkruar CNN.
Aktori dhe regjisori i njohur ka zbuluar në një intervistë për The New York Times se ai dhe bashkëshortja e tij, Amal Clooney, bashkë me binjakët e tyre shtatëvjeçarë, Alexander dhe Ella, kanë zgjedhur të jetojnë një jetë më të qetë, në një fermë në Francë.
“Duke u rritur në Kentucky, e vetmja gjë që doja ishte të largohesha nga një fermë, të shpëtoja nga ajo jetë. Tani e gjej veten përsëri në atë jetë. Ngas një traktor dhe bëj gjithçka tjetër që bëjnë fermerët. Është mënyra më e mirë për të pasur një jetë normale”, ka thënë Clooney.
CNN ka shkruar se kjo nuk është përgatitje për ndonjë rol të ri, por është e vërtetë.
Megjithatë, ai është i angazhuar në një tjetër projekt artistik, debutimin e tij në teatër, ku do të luajë rolin e gazetarit legjendar Edward R. Murrow në adaptimin skenik të filmit të tij të vitit 2005, “Good Night, and Good Luck”.
Në kuadër të këtij roli, ai madje ka nisur të pijë cigare, një zakon që ai e shmang për shkak të historisë familjare me kancerin e mushkërive.
“Tetë xhaxhallarë dhe halla ime vdiqën nga kanceri i mushkërive, është çështje serioze”, ka thënë ai, duke shtuar se babai i tij, gazetari Nick Clooney, ishte i vetmi që nuk pinte duhan dhe tani është 91 vjeç.
Ai ka zbuluar gjithashtu se së fundmi kishte provuar sërish të luajë bowling pas 30 vjetësh dhe ishte mahnitur nga fakti se sa shumë i kishte munguar.
“Është një gjë e çuditshme, kur plakesh mendon se mund të bësh ende gjërat që i ke dashur dikur”, ka thënë ai.
Por ai ka thënë se binjakët janë ata që vërtet e mbajnë atë aktiv dhe të ri.
“Kur i çoj në shkollë me makinë, i detyroj të dëgjojnë ‘heavy metal’ sepse më pëlqen kur këndojnë”, ka treguar aktori.
Vajza, sipas tij, ka një shije të veçantë për muzikën.
“Ajo është dashuruar me këngë tragjike, i pëlqen shumë ‘What Was I Made For?’ e Billie Eilish dhe ‘Without You’ e Harry Nilssonit", ka thënë ylli me humor.
Sipas Clooneyt, ata janë fëmijë të lumtur dhe ndihet një baba me fat.