Showbiz

Gene Hackman dhe gruaja e tij janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre

Gene Hackman dhe gruaja e tij Betsy Arakawa

Gene Hackman dhe gruaja e tij Betsy Arakawa

Foto: Associated Press

Aktori i njohur amerikan Gene Hackman dhe gruaja e tij Betsy Arakawa janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre ne Santa Fe, New Mexico, ka raportuar BBC.

“Mund të konfirmojmë se të dy, Gene Hackman dhe gruaja e tij janë gjetur të vdekur të mërkurën mbrëma në rezidencën e tyre në Sunset Trail”, ka njoftuar policia.

Sherifi i Santa Fe County, Adan Mendoza, konfirmoi lajmin për mediat lokale menjëherë pas mesnatës të mërkurën, duke thënë se çifti ishte gjetur i vdekur. Në shtëpi, sipas tij, ishte gjetur i ngordhur edhe qeni i tyre.

“Çfarë mund të them është se jemi në mes të një hetimi të përkohshëm për vdekjen, duke pritur miratimin e një urdhri për kërkim”, ka thënë ai.

Lajmi u konfirmua më vonë nga agjencia e lajmeve Press Association. 

Hackman ishte 95 vjeç dhe bashkëshortja e tij 63 vjeçe.

Në karrierën e tij gjashtë dekadëshe, Hackman ka marrë dy çmime “Oscar”, dy çmime “Bafta” katër çmime “Golden Globe” dhe një çmim nga “Screen Actors Guild Award.

Gene Hackman dhe gruaja e tij Betsy Arakawa

Hackman, një aktor i njohur dhe i nderuar, ka luajtur në më shumë se 100 filma, duke përfshirë rolin e Lex Luthor në filmat “Superman” në vitet 1970 dhe 1980. Ai gjithashtu ka luajtur në filma të njohur si “Runaway Jury” dhe “The Conversation”, si dhe në “The Royal Tenenbaums” të Wes Anderson.

Shfaqja e tij e fundit në ekranin e madh ishte në rolin e Monroe Cole në filmin “Welcome to Mooseport” në vitin 2004.

Gene Hackman ka fituar çmimin “Oscar” për aktorin më të mirë për rolin e tij si Jimmy “Popeye” Doyle në filmin thriller “The French Connection” të regjistorit William Friedkin, në vitin 1971. 

Skenë nga filmi "The French Connection" (20th Century Studios)

Ai ka fituar një tjetër çmim “Oscar” për aktorin mbështetës për rolin e Little Bill Daggett në filmin western “Unforgiven” të Clint Eastwood në vitin 1992.

Roli tjetër i tij i nominuar për “Oscar” ishte në filmin “Bonnie and Clyde” të vitit 1967, ku luajti Buck Barrow, dhe në “I Never Sang for My Father” të vitit 1970, si dhe si agjent në “Mississippi Burning” (1988).