Showbiz

Fushata “Stand Up for Ukraine” bën bashkë yjet e muzikës dhe sportit

Më 8 prill, yjet nga fusha e showbizit dhe sportit do të bashkohen për fushatën e rrjeteve sociale, “Stand Up for Ukraine”.

Në atë ditë, shpresohet se kushdo që hyn në mediat sociale do të mbushet me mesazhe nga artistë dhe aktivistë që bëjnë thirrje për mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën dhe gjetjen e një zgjidhjeje për krizën humanitare që vazhdon të përshkallëzohet pas pushtimit të ushtrisë ruse më 24 shkurt, raportoi të martën portali “Billboard”.

Ndër pjesëmarrësit e kësaj fushate humanitare janë: Abel “The Weeknd” Tesfaye, Adam Durica, Aitana, Alanis Morissette, Alejandro Sanz, Alexandra Stan, Angélique Kidjo, Annie Lennox, Billie Eilish, Billy Joel, Celine Dion, Chris Isaak, Chris Rock, Demi Lovato, Elton John dhe David Furnish, FINNEAS, Garth Brooks dhe Trisha Yearwood, Gloria Steinem, Hugh Jackman, Jon Batiste, Juanes, Kacey Musgraves, Katy Perry, Leon Bridges, Luke Combs, Madonna, Miley Cyrus, Mirai, Ozzy Osbourne, Pharrell Williams, Nick Jonas dhe Priyanka Chopra, Shaquille O’Neal, Stevie Nicks, Stevie Wonder, Usher dhe të tjerë.

Ky organizim premtues synon t’i mbledhë njerëzit në mediat sociale për të ushtruar presion ndaj qeverisë dhe liderëve të korporatave për të siguruar fonde emergjente shtesë, të nevojshme për të ndihmuar miliona të zhvendosur nga Ukraina dhe konfliktet tjera në mbarë botën, përfshirë këtu Jemenin, Sudanin e Jugut dhe Afganistanin.

E mbështetur nga organizata “Global Citizen”, fushata “Stand Up for Ukraine” u lansua të shtunën (26 mars) nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e kryeministri kanadez, Justin Trudeau dhe ka për qëllim të luajë rol të rëndësishëm në këto kohë të vështira.

Me këtë fushatë sociale që shtrihet në të gjithë globin, shpresohet që zemrat, mendjet dhe kuletat e njerëzve anembanë botës të hapen për refugjatët dhe të grumbullohen miliarda dollarë për ndihma.

Sipas organizatës UNHCR, aktualisht rreth 12 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë për shkak të luftës në Ukrainë. Më shumë se 6.5 milionë njerëz janë të zhvendosur brenda vendit dhe në më pak se tri javë, mbi 3.2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe kanë ikur në vendet fqinje. Afërsisht 2 milionë prej tyre janë gra dhe fëmijë.

Industria e muzikës është angazhuar masivisht për të dënuar veprimet e Rusisë, duke i pezulluar të gjitha aktivitetet muzikore në këtë shtet, përfshirë këtu tri kompanitë kryesore “Universal Music Group”, “Sony Music”, “Warner Music”, dhe platformat “Spotify” dhe “YouTube”.