Aktorja e njohur e filmit “Slumdog Millionaire”, Freida Pinto dhe i fejuari i saj, Cory Tran, do të bëhen prindër për herë të parë.
Çifti i shfrytëzoi rrjetet sociale për ta ndarë lajmin e gëzuar me të gjithë fansat, me publikimin e një fotografie ku aktorja indiane e cila shquhet për role në filma të shumtë amerikan dhe britanik, shfaqet duke e ledhatuar barkun e fryrë.
Krahas postimit, dyshja e famshme e ka shkruar një mesazh të shkurtër dhe të thjeshtë: “Bebja Tran vjen këtë vjeshtë”.
Lajmi i shtatzënisë së Pintos vjen dy vjet pasi ajo dhe Tran e bënë të ditur lajmin e fejesës, pas dy vjetësh lidhjeje.
Aktorja 36-vjeçare atëkohë e kishte postuar mesazhin në rrjetet sociale ku shkruhej: “Tani gjithçka ka kuptim. Jeta dhe bota kanë kuptim për mua. Lotët e kaluar dhe sfidat nëpër të cilat kam kaluar, kanë marrë kuptim. Dhe të gjitha fjalët që të dashuruarit e vjetër dhe të mençur kanë thënë për dashurinë, tani kanë kuptim edhe për mua. Vendi ku gjendem tani në jetën time ka kuptim, dhe ajo ku dua të jem në të ardhmen ka kuptim plotësisht. Ti i dashuri im, je krijimi më i bukur që ka hyrë në jetën time, dhe je këtu për të qëndruar deri në pafundësi. Ta dhuroj gjithë dashurinë me tërë zemrën time”. Me këto fjalë romantike, Pinto e kishte nderuar të fejuarin e saj i cili, sipas aktores, ia ka ndryshuar jetën për të mirë.
Aktorja indiane në të kaluarën ka qenë në lidhje romantike me kolegun e saj nga filmi “Slumdog Millionaire”, Dev Patel. Kjo dyshe e famshme ishte bashkë nga viti 2008 deri më 2014. Megjithëse janë ndarë, dy aktorët insistojnë se vazhdojnë të kenë raporte shoqërore me vete, dhe Pinta u deklarua shumë e lumtur kur kuptoi se Patel ishte nominuar për “Oscar” në vitin 2017, për rolin e tij në filmin “Lion”.