Showbiz

Filmat që dominuan kinematë gjatë fundjavës

"Moana 2", "Wicked" dhe "Gladiator II"

"Moana 2", "Wicked" dhe "Gladiator II"

Në vend të pushimit pas festës së “Falënderimeve”, shumë amerikanë shkuan në kinema për të parë premierat e filmave “Moana 2”, “Wicked”, dhe “Gladiator II”, që sollën një rritje të madhe në arkat filmike.

Tre filmat që po dominojnë në kinema ndihmuan në vendosjen e një rekordi të ri për fundjavën pesë ditë pas premierave, duke tejkaluar rekordin e vitit 2018 prej 315.6 milionë dollarësh dhe duke arritur një total prej 420 milionë dollarësh deri të dielën, ka shkruar CNN.

“Moana 2” ka thyer rekordin për hapjen më të madhe në pesë ditëshin e parë, duke fituar 221 milionë dollarë vetëm në tregun vendas dhe duke ia kaluar filmit “The Super Mario Bros”, i cili pati fituar 204.6 milionë dollarë në vitin 2023.

“’Moana 2’ ka tejkaluar shumë pritshmëritë tona këtë fundjavë dhe është një dëshmi e fenomenit që ka bërë”, ka thënë Alan Bergman, bashkëkryetar në kompaninë “Disey Entertainment”.

Paul Dergarabedian, analist i lartë në “Comscore”, ka theksuar se publikimi i të tre filmeve në një periudhë të shkurtër, me apo ma qëllim, ka tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme. 

“Kjo ka tërhequr vëmendje të madhe dhe është një mënyrë për të rritur interesin për shfaqjet kinematografike”, ka thënë ai, duke shtuar se askush nuk priste që fundjava e festës së “Falënderimeve” të arrinte 420 milionë dollarë në arka filmike.

Filmi “Wicked” i kompanisë “Universal Pictures” ka mbledhur gjithsej 262.4 milionë dollarë në tregun vendas, duke fituar 80 milionë dollarë nga e premtja deri të dielën. 

Nga ana tjetër, filmi “Gladiator II”, i kompanisë  “Paramount Pictures”, ka arritur 111.2 milionë dollarë, duke fituar 30.7 milionë dollarë gjatë fundjavës.

Dy filmat, të dy të lansuar më 22 nëntor, shpejt u quajtën “Glicked”, një term i krijuar pas suksesit që pati arritur termi “Barbenheimer” i cili bashkonte filmat “Barbie” dhe “Oppenheimer” në verën e vitit 2023.

Në vendin e katërt, filmi aksion “Red One”, i shpërndarë nga Amazon MGM Studios, arriti të fitonte 12.89 milionë dollarë në fundjavën e tij të tretë. 

Pas tij ishte “The Best Christmas Pageant Ever”, i cili fitoi 3.27 milionë dollarë në fundjavën e tij të dytë.

Për sa i përket të ardhmes, suksesi i këtyre tre filmave sugjeron që ata do të vazhdojnë të performojnë mirë edhe gjatë javëve në vazhdim.

Daniel Loria, drejtor në “The Boxoffice Company”, ka thënë se “Gladiator II” nuk do të ketë konkurrencë të drejtpërdrejtë deri në mes të dhjetorit, kur do të dalë filmi “Kraven the Hunter”. 

Po ashtu, “Moana 2” nuk do të ketë konkurrencë të drejtpërdrejtë në kategorinë e filmave familjarë për disa javë, derisa të dalin filmat “Sonic the Hedgehog 3” dhe “Mufasa: The Lion King” më 20 dhjetor. Gjithashtu, nga 25 dhjetori, do të shfaqen shfaqje interaktive të “Wicked” në rreth 1,000 kinematë e Amerikës Veriore, ku audienca mund të këndojë gjatë filmit.

Michael O’Leary, president i “Shoqatës të Pronarëve të Kinemave”, ka thënë se disa shikues kanë pasur vështirësi të blejnë bileta paraprakisht dhe mund të mos shkojnë të shohin filma të tjerë gjatë javëve të ardhshme.

Strategjitë e marketingut për kinematë

Loria ka thënë se kompanitë e mëdha të filmit “Universal”, “Paramount” dhe “Disney” kanë përdorur strategji marketingu që janë të orientuara drejt kinemasë, gjë që mund ta shfrytëzojnë edhe kompanitë e kinemave. 
Sipas të dhënave të “Boxoffice Company”, 75% e shfaqjeve në këtë fundjavë ishin për tre filmat më të popullarizuar. 
Kjo do të thotë që kinematë e kanë përshtatur programin për të kënaqur audienca të ndryshme, nga ata që kërkojnë aksion historik, deri tek ata që preferojnë fantastikën muzikore ose aventurën e animuar.

Dergarabedian ka shtuar se bashkëpunimi midis kinemave dhe shërbimeve të transmetimit mund të ndihmojë në ndërtimin e suksesit afatgjatë për filmin.

“Ekspozimi i madh në ekran dhe në shërbimet e transmetimit mund të rrisë të ardhurat dhe shikueshmërinë e filmit”, ka përfunduar ai.