Showbiz

Filmat që do të lansohen gjatë muajit shkurt

Muaji shkurt do të sjell projekte filmike për shijen e secilit, duke filluar nga zhanri horror, aksion, fantastiko-shkencorë, triller dhe të tjerë. Pandemia e koronavirusit po vazhdon, por kinematë në shtete të ndryshme të botës vazhdojnë të qëndrojnë të hapura dhe duke funksionuar si zakonisht, derisa studiot filmike po e shfrytëzojnë këtë dhe po vazhdojnë t’i lansojnë filmat që ishin detyruar t’i shtyjnë për shkak të pandemisë.

Gjatë muajit janar u publikuan disa filma të shumëpritur nga adhuruesit, si “Scream”, “The King’s Daughter”, dhe “Redeeming Love”, por fatkeqësisht lansimi i një prej projekteve më të mëdha të muajit, “Morbius”, u shty për muajin prill. Kishte edhe filma që u lansuan njëkohësisht nëpër kinema dhe në platforma digjitale, si projekti me spiunë “The 355”.

Po ju prezantojmë disa prej filmave që do të mund t’i shikoni nëpër kinema gjatë muajit shkurt:

“The Long Night” është filmi i ri horror që vjen me regji të Rich Ragsdale. Ai e rrëfen historinë e kryepersonazhit Grace, e cila derisa është në kërkim të prindërve të cilët nuk i ka takuar kurrë, bashkë me të dashurin e saj përfundojnë duke u rikthyer në vendin ku e ka kaluar fëmijërinë. Me të arritur atje, fundjava e çiftit merr një kthesë të çuditshme dhe të tmerrshme, pasi një kult makthi dhe lideri i tij maniak i terrorizon ata në rrugën drejt përmbushjes së një profecie të lashtë apokaliptike. Filmin “The Long Night” publiku ka mundësi ta shikojë nëpër kinema nga 5 shkurti.

Liam Neeson zbulon një komplot të dyshimtë të qeverisë në filmin e tij të ri “Blacklight”. Aktori 69-vjeçar më shumë se një herë ka deklaruar se shumë shpejtë do të pensionohet nga filmat e zhanrit aksion, por është e qartë se ai nuk është ende gati të bëjë një gjë të tillë. Në projektin e tij të fundit “Blacklight”, ylli i filmave “Taken” e luan rolin e burri me një histori të gjatë operacionesh të fshehta të rrezikshme, i cili e zbulon një komplot qeveritar që përfshin vrasjen e qytetarëve të zakonshëm për arsye të dyshimta. Familja e personazhit të tij shpejt përfundon e kërcënuar nga të njëjtit njerëz për të cilët ai punonte, dhe tani i duhet ta ekspozojë të vërtetën duke shpëtuar më të dashurit e tij nga njerëzit e këqij. Filmi “Blacklight” do të lansohet ekskluzivisht nëpër kinema, më 11 shkurt të këtij viti.

I realizuar nga studioja filmike “20th Century Fox”, filmi “Death on the Nile” është adaptimi më i ri i romanit të shkrimtares së madhe Agatha Christie, pas filmit të vitit 2017 “Muder on the Orient Express”. Kenneth Branagh rikthehet në rolin e regjisorit të këtij projekti, si dhe do ta përsërisë edhe rolin e detektivit të madh Hercules Poirot. Në filmin e mbushur me aktorë yje, aventura egjiptiane e Poirotit në bordin e anijes luksoze të lumit shndërrohet në një kërkim të frikshëm për vrasësin pasi që një muaj idilik i mjaltit shkatërrohet nga vrasja. Tregimi fatal i dashurisë obsesive dhe pasojave të saj vdekjeprurëse luhet në një mjedis epik të rrezikut dhe parandjenjave të këqija, me kthesa mjaft shokuese dhe e mban publikun në ankth, në pritje të fundit tronditës. Ndër aktorët e njohur të kinematografisë pjesë e këtij filmi janë: Tom Bateman, Annette Bening, Russell Brand, Ali Fazal, Daën French, Gal Gadot, Rose Leslie, Emma Mackey, Sophie Okonedo, Jennifer Saunders dhe Letitia Wright. Lansimi i projektit të shumëpritur nga publiku është shtyrë gjashtë herë brenda dy vjetëve të fundit, por më në fund “Death on the Nile” vjen nëpër kinema më 11 shkurt të vitit të ardhshëm.

“Marry Me” titullohet komedia e re romantike në të cilin rolet kryesore i luajnë aktorët, Jennifer Lopez, Owen Wilson dhe pop ylli kolumbian, Maluma. Me regji të Kat Coiros, filmi vjen i bazuar në një roman grafik me të njëjtin emër të autorit, Bobby Crosby, dhe do të jetë i mbushur me këngë origjinale të krijuara nga Lopez dhe Maluma. JLo e portretizon rolin e superyllit muzikor të quajtur Kat Lopez, e cila e merr vendimin më të çmendur në jetën e saj kur pranon të martohet me një mësues të matematikës në takimin e tyre të parë. E shkatërruar dhe turpëruar nga tradhtia që i fejuari i saj ia bënë në natën e martesës, e cila ishte planifikuar të transmetohej live, Kat vendos ta pranojë propozimin për martesë nga një shikues në publik, i cili në film portretizohet nga Owen Wilson. Por, gjërat nuk janë ashtu siç duken dhe çiftin e ri e presin shumë sfida dhe momente qesharake. Krejt papritur mes Katit dhe Chariet lind një romancë e bukur, dhe tani ata duhet ta bëjnë të pamundurën që të mos i lënë personat e tjerë që t’i ndajnë ata. Por, a do të mund t’i mbijetojnë ata këtij presioni dhe faktit se ata vijnë nga botë krejtësisht të ndryshme? Filmi “Marry Me” lansohet nëpër kinematë botërore nga 11 shkurti i vitit të ardhshëm.

Channing Tatum, nuk e ka pasur ndonjë rol të madh filmik nga filmat e vitit 2017, “Kingsman: The Golden Circle” dhe “Logan Lucky”, por gjërat do të ndryshojnë drastikisht për aktorin gjatë vitit 2022. Ai po e shënon debutimin regjisorial me filmin e ardhshëm të titulluar, “Dog”, në të cilin edhe e luan rolin protagonist. Filmi e rrëfen historinë e një ushtari i cili pa dëshirën e tij angazhohet ta ndërmarr një udhëtim me një qen i cili ka shërbyer në ushtri. Ranger Briggs dhe Lulu, duhet ta durojnë njëri-tjetrin deri në fund të rrugëtimit, nëse duan të mbërrijnë me kohë në varrimin e mikut të tyre ushtarë. Përgjatë kësaj aventure ata e çmendin njëri-tjetrin, i thyejnë disa ligje, për pak i shmangen vdekjes dhe mësojnë t’i lënë pas kujtimet e këqija dhe të luftojnë për mundësinë që të jenë të lumtur. “Dog” lansohet nëpër kinematë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 18 shkurt.

“Uncharted” titullohet filmi i ardhshëm amerikan i zhanrit aksion, i cili vjen me regji të Ruben Fleischerit, dhe në rolin protagonist e sjell aktorin shumët të dashur nga publiku, Tom Holland. I bazuar në videolojën e famshme me të njëjtin titull, filmi në rolet kryesore i sjell aktorët, Tom Holland që e personifikon kryepersonazhin Nathan Drake, Mark Wahlberg i cili vjen në rolin e mentorit të tij Victor Sullivan, Sophia Ali, Tati Gabrielle dhe Antonio Banderas. Puna rreth skenarit dhe përgatitjeve tjera rreth realizimit të këtij projekti kishte filluar në vitin 2008, por përgjatë vjetëve filmi u përball me shumë ngatërresa dhe probleme, duke i ndërruar disa herë skenaristët, aktorët dhe regjisorët e tij, ndër të cilët kishte edhe emra të njohur të kinematografisë, si David O. Russell, Neil Burger, Seth Gordon, Shaën Levy, Dan Trachtenberg dhe Travis Knight. Filmi “Uncharted” do të lansohet nëpër kinema më 18 shkurt 2022.

“Studio 666” është një filmi i zhanrit horror dhe komedi i cili vjen me regji të B.J. McDonnell, dhe bazohet në një histori të shkruar nga muzikanti i njohur, Dave Grohl. Rok bendi i dashur për publikun “Foo Fighters” zhvendoset në një rezidencë të quajtur “Encino” e cila është pjesë e historisë së rock and rollit, për të regjistruar albumin e tyre të dhjetë, por me të arritur atje, vokalisti Dave Grohl detyrohet të luftojë me forcat e mbinatyrshme brenda shtëpisë. Grupit në këtë aventurë me zotërime djallëzore, fantazma dhe më shumë iu bashkohen edhe yjet e filmit dhe muzikës: Leslie Grossman, Jenna Ortega, Whitney Cummings, Will Forte dhe Lionel Richie.

“Big Gold Brick” titullohet komedia e errët amerikane e cila e shënon debutimin regjisorial të Brian Petsos, ndërsa vjen me një kastë të aktorëve yje, si Emory Cohen, Andy Garcia, Megan Fox, Lucy Hale, Oscar Isaac, Shiloh Fernandez dhe Frederick Schmidt. “Big Gold Brick” e rrëfen historinë e shkrimtarit të Samuel Liston i cili angazhohet nga një baba enigmatik i dy fëmijë, Floyd Deveraux, për të shkruar biografinë e tij. Megjithatë, rrethanat që çojnë në këtë bashkëpunim në radhë të parë janë të habitshme dhe përpjekjet për ta shkruar këtë biografi pengohen shpejt nga kaosi që pason. Filmi “Big Gold Brick” lansohet nëpër kinema nga 25 shkurti i këtij viti.