Ylli i serialit “Friends”, Matthew Perry, u gjet i vdekur të shtunën (28 tetor) në shtëpinë e tij në Los Angeles. Lajmi u konfirmua nga policia. Ai ishte vetëm 54-vjeçar.
Në orën 4 pasdite, autoritetet kishin shkuar në shtëpinë e aktorit ku ai u gjet pandjenja. Sipas burimeve, të cilat u deklaruan në formë anonime për shkak se hetimet po vazhdojnë, ende nuk dihet shkaktari i vdekjes së Perryt. Në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur droga, por brenda në shtëpi janë zbuluar disa medikamente me recetë të mjekut. Prandaj testi i toksikologjisë do të jetë pjesë e hetimit.
Kapiteni i policisë së Los Angelesit, Scot Williams, i cili e drejton sektorin e vrasjeve dhe grabitjeve, që njëkohësisht po e heton këtë rast, deklaroi se mund të kalojë ca kohë para se të zbulohet shkaktari i vdekjes së Perryt, por në këtë pikë të hetimeve nuk dyshohet për ndonjë veprim kriminal. Shkaku i vdekjes do të përcaktohet nga zyra e mjekëve ligjor në Los Angeles, e cila të dielën e shtyu zyrtarisht publikimin e rezultateve me arsyetimin se janë në pritje të testimit të mëtejshëm.

“Jemi të pikëlluar me vdekjen e mikut tonë të dashur, Matthew Perry. Ai ishte një aktor jashtëzakonisht i talentuar dhe një pjesë e përhershme e familjes sonë. Ndikimi i humorit të tij u ndje në mbarë botën dhe trashëgimia e tij do të jetojë në zemrat e shumë njerëzve. Kjo është një ditë pikëlluese për të gjithë dhe ne i dërgojmë dashurinë tonë familjes së Perryt, personave të tij më të dashur dhe gjithë fansave të përkushtuar anembanë botës”, thuhej në një prononcim për media të kompanisë “Warner Bros. Television Group”, e cila e ka prodhuar serialin “Friends”.
Përmes një deklarate të publikuar në “The Times”, kanali televiziv NBC, i cili e transmetoi serialin hit për dhjetë sezone tha: “Jemi shumë të pikëlluar me vdekjen e parakohshme të Matthew Perryt. Ai i solli gëzim qindra miliona njerëzve anembanë botës me sensin e veçantë të humorit. Trashëgimia e tij do të jetojë për edhe për shumë breza”.
Pak minuta pas orës 7 pasdite, nëna e Perryt, Suzanne dhe burri i saj, prezantuesi televiziv Keith Morrison, mbërritën në vendngjarje. Morrison nuk pranoi të komentojë për mediat e pranishme.
Mattheë Perry e filloi karrierën si aktor, qysh në fëmijëri. Ai ka luajtur disa role të vogla në serialet televizive, “Charles in Charge” dhe “Beverly Hills 90210”. Gjithashtu në vitet ’80 dhe ’90 ka aktruar krahas aktorit dhe muzikantit, River Phoenix, në filmin “A Night in the Life of Jimmy Reardon”.
Famën e arriti kur u angazhua në serialin “Friends”, një komedi që fokusohej në jetën e gjashtë miqve nga New Yorku, dhe e cila e filloi transmetimin në vitin 1994 në kanalin NBC. Ky projekt shumë shpejt u shndërrua në hit anembanë globit, duke i sjell suksese të jashtëzakonshme kastës së aktorëve të përbërë nga Perry, Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer. Në kulmin e famës, seriali shikohej nga më shumë se 50 milionë njerëz dhe kështu aktorët paguheshin nga 1 milion dollar për një episod.

Në rolin e Chandler Bingut, cimeri i hijshëm dhe komik i Joey Tribbianit, më vonë i dashuri i personazhit Monica Geller, e luajtur në serial nga Courtney Cox, Perry dallohej nga pjesëtarët tjerë të kastës. Shumë shpejt, ai u bë pjesë e disa projekteve filmike me aktorë yje të Hollywoodit, Salma Hayek, me të cilën e ndau ekranin në komedinë romantike të vitit 1997, “Fools Rush In”, dhe Bruce Willis në filmin e vitit 2000, “The Ëhole Nine Yards”. Aktori gjithashtu e pati një lidhje romantike me Jlia Robertsin, e cila zgjoi interesim të madh tek mediat dhe publiku.
Por, ekzistonte dhe ana e errët e jetës së një prej aktorëve më të pëlqyer komik. Në librin e tij me kujtime të publikuar në vitin 2022, “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, Perry tregoi për betejën e gjatë me varësinë nga alkooli dhe drogat. Ai zbuloi se pijen e parë alkoolike e kishte konsumuar në moshën 14-vjeçare, por nuk i kishte vënë re shenjat e varësisë deri në moshën 21 vjeç. Nga atëherë, ai kishte llogaritur se i ka shpenzuar më shumë se 7 milionë dollarë nëpër qendra rehabilituese. Abuzimi me substanca narkotike gjithashtu i shkaktoi probleme serioze me shëndetin, përfshirë këtu hospitalizimin për pesë muaj në vitin 2018, si pasojë e dëmtimit të zorrës së trashë. Sipas aktorit, ai ishte gati për ta humbur jetën në atë kohë.
“Askush nuk dëshironte më shumë se unë që të bëhej i famshëm. Isha i bindur që kjo ishte zgjidhja e duhur për të gjitha problemet e mia. Isha vetëm 25-vjeçar, ishte viti i dytë që isha pjesë e serialit ‘Friends’ dhe atëkohë e kuptova që ëndrra Amerikane nuk po më bën të lumtur, dhe nuk po e mbush zbrazëtinë në jetën time. Nuk ngopesha me vëmendje, por më duhet t’ju them që fama nuk është ashtu siç e mendoni. Gjithçka ishte mashtrim”, deklaroi Perry në muajin prill për gazetën “The Times”, teksa diskutonte për librin “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”.
Perry u kujtua të shtunën (28 tetor) nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të shumtë si, Selma Blair, Viola Davis, Paget Brewster, Morgan Fairchild, Mira Sorvino dhe të tjerë. Ata e quajtën aktorin një talent të komedisë dhe një burrë të sjellshëm e të dashur.
Kolegia e Perryt nga seriali “Friends”, Maggie Wheeler, e cila e ka portretizuar të dashurën e tij bezdisëse, Janice, e ndau një mesazh prekës në Instagram ku thuhej: “Çfarë humbje e madhe. Botës do t’i mungosh shumë Mathew Perry. Gëzimi që ua ke sjell aq shumë njerëzve gjatë jetës tënde të shkurtër, do të jetojë me ne përgjithmonë. Ndihem e bekuar për të gjitha momentet që i kemi kaluar së bashku”.
Ai po ashtu u kujtua nga kryeministri kanadez, Justin Trudeau.
“Vdekja e Matthew Perryt është shokuese dhe pikëlluese. Kurrë nuk do t’i harroj lojërat në oborrin e shkollës që i bënim dikur. E di që njerëzit nga mbarë bota nuk do ta harrojnë kurrë gëzimin që ua ke sjell në jetë me humorin tënd. Faleminderit për të qeshurat Matthew. Je i dashur nga shumë njerëz dhe do të na mungosh”, shkroi Trudeau në platformën X.
Edhe pse Perry pati deklaruar se nga viti 2001, kur u shërua nga varësia, ai kishte vazhduar të konsumojë alkool dhe droga disa herë, aktori megjithatë vazhdoi të jetë prezent në televizion me projekte të ndryshme. Disa prej tyre ishin, “Studio 60 on the Sunset Strip” dhe “Go On”. Gjithashtu ka bërë paraqitje të shkurtra në serialet e famshme si, “The West Wing” dhe “The Good Wife”.
Që nga përvoja e vitit 2018, kur gati e kishte humbur jetën, Perry kishte gjetur ngushëllim te miqtë, lojërat e shpeshta sportive dhe veçanërisht tek shkrimi. Megjithëse shkrimi o librit me kujtime, “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, e kishte detyruar t’i rijetojë disa momente të tmerrshme të jetës së kaluar, kjo përvojë gjithashtu i ndihmoi të krijojë lidhje me të gjithë personat e tjerë që vuajnë nga të njëjtat probleme.
“Unë kisha një histori për ta rrëfyes, një histori që mund t’i ndihmonte vërtetë njerëzit. Dhe kjo u bë gjëja më e rëndësishme për mua”, kishte deklaruar aktori.
Në të vërtetë, me gjithë suksesin e tij si aktor dhe së fundmi si një autor ‘bestseller’, Perry tha për “The Times” se puna dhe karriera nuk ishin qendra e asaj që ai shpresonte se do të ishte trashëgimia e tij.
I pyetur si dëshironte të kujtohej nga njerëzit, aktori tha: “Dua të kujtohem si një burrë që e jetoi jetën, dashuroi mirë dhe i ndihmoi njerëzit e tjerë. Dua që takimi me mua të jetë përvojë e bukur për të tjerët dhe jo diçka e keqe”.
Të dielën, fansa të shumtë u mblodhën para shtëpisë së Perryt dhe ndërtesës ku është xhiruar seriali “Friends”, për ta nderuar atë dhe për të vendosur lule në shenjë respekti për aktorin e tyre të preferuar.