Seriali kontrovers për të rinj i cili të hënën e përfundoi transmetimin e sezonit të dytë, “Euphoria”, tani është bërë shou i dytë me shikueshmërinë më të madhe nga viti 2004 në kanalin HBO.
Vendin e parë si seriali më i shikuar vazhdon ta mbajë drama fantastike, “Game Of Thrones”.
Rezultati i statistikave të shikueshmërisë u bë i ditur nga HBO, si dhe besohet që qëllimisht është potencuar viti 2004 për shkak se më herët kanë dominuar seriale tjera të krijuara nga ky kanal, si “Deadwood” apo “Sopranos”.
Sidoqoftë, “Euphoria” ka shënuar suksese të jashtëzakonshme dhe është shndërruar në një hit të padiskutueshëm televiziv. Portali “Variety” ka bërë të ditur se për çdo episod të transmetuar të shout, shikueshmëria është rritur për gati 100 për qind nga sezonit i kaluar, duke arritur rekorde të reja.
“Euphoria” që në rolet kryesore i sjell aktorët, Zendaya, Jacob Elrodi, Storm Reid, Sydney Sweeney, Angus Cloud dhe të tjerë, po ashtu është shndërrua në shoun më të diskutuar të dekadës në rrjetin social Twitter.
Nëse jeni të interesuar ta kuptoni pse është kaq i ndjekur ky serial, sezoni i tij i dytë sapo ka përfunduar së transmetuari, dhe tashmë është konfirmuar rikthimi i tij për një sezon të tretë.