Modelja 31-vjeçare, Emily Ratajkowski, i ka bërë fansat të spekulojnë se po deklarohet si biseksuale, kur iu përgjigj një videoje në Tik Tok ku parashtrohej pyetja, “nëse jeni biseksual a e posedoni një divan të gjelbër në shtëpi?”.
Ylli i famshëm i modës, e cila para disa muajve bëri kërkesë për shkurorëzim nga bashkëshorti, Sebastian Bear-McClard, më pas ua tregoi ndjekësve në këtë rrjet social, divanin e saj ngjyrë gjelbër.
E ky veprim i modeles dhe aktores nxiti spekulime në publik se ajo po deklarohet rreth orientimit seksual, duke bërë që postimi i saj të mbushet me komente urimi.
Pranimi i dukshëm i Emilyt se është biseksuale vjen pasi disa të famshëm si, Madonna dhe Shay Mitchell, po ashtu e pranuan se ishin pjesë e komunitetit LGBT+, me anë të disa postimeve në rrjetet sociale.
Në muajin shtator, Ratajkowski, bëri kërkesë për shkurorëzim nga bashkëshorti, duke i dorëzuar dokumentet ligjore për t’i dhënë fund martesës katër vjeçare në gjykatën supreme të Manhattanit. Çifti u nda në muajin korrik pas raportimeve se producenti i filmave, me të cilin Emily e ka djalin 18-muajsh, Sylvester Apollo Bear, e kishte tradhtuar atë vazhdimisht.
Një burim i afërt me modelen e konfirmoi këtë lajm për revistën “People” duke thënë: “Ata janë ndarë së fundmi. Ishte vendimi i Emilyt. Ajo është mirë, e fuqishme dhe po fokusohet në rritjen e djalit. Asaj i pëlqen shumë roli i nënës”.
Ish-çifti nuk ka komentuar publikisht rreth statusit të lidhjes së tyre.
Emily dhe Sebastian u martuan në gjykatën e Neëw Yorkut më 13 shkurt 2018. Më vonë në një intervistë, ajo deklaroi se iu deshën vetëm 30 sekonda që të vendoste të martohej me producentin e filmit, “Uncut Gems”.
Në tetor të vitit 2020, ata e bënë të ditur lajmin se janë në pritje të fëmijës së parë së bashku.
Së fundmi, modelja e famshme ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave për lidhjen e mundshme romantike me aktorin 58-vjeçar, Brad Pitt. Ky lajm ende nuk është konfirmuar nga zëdhënësit e tyre, por disa burime kanë pohuar se ata po takohen me njëri-tjetrin por gjërat mes tyre nuk janë serioze.