Filmi mjuzikëll, “Emilia Perez” në listat e publikuara nga Akademia e Filmit, shfaqet dy herë si favorit për kategorinë “muzika më e mirë”, bashkë me emra të mëdhenj të industrisë së muzikës, si këngëtarët Pharel Williams e Elton John.
The New York Times ka shkruar se filmi “Wicked”, i cili po ashtu është i zhanrit mjuzikëll ka potencial të arrijë rezultate të mira.
Disa emra të njohur nga bota e muzikës mund të kenë një rol të rëndësishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar” që do të mbahet në muajin mars të vitit të ardhshëm, nëse listat e shkurtra që Akademia i publikoi të martën janë një tregues.
Përveç nominimeve të pritshme për filmat e gjigandit “Disney”, si “Moana 2” dhe “Mufasa: The Lion King”, këngët nga dokumentarët për Elton John (“Never Too Late”) dhe Pharrell Williams (“Piece by Piece”), si dhe nga një biografi për Robbie Williams (“Better Man”), janë përfshirë në listën e ngushtë për kategorinë “Kënga më e mirë origjinale”.
Po ashtu, këngët nga filmi “Emilia Pérez”, të kënduara nga këngëtarja e aktorja Selena Gomez dhe aktorja Zoe Saldaña, janë futur në garë.
Artistë me rrënjë në muzikën e zhanrit country gjithashtu janë shfaqur, si Maren Morris (“The Wild Robot”) dhe Lainey Wilson (“Twisters”).
Siç ndodh shpesh me këtë kategori, një këngë e artistes Diane Warren mund të jetë po ashtu në garë (“The Journey” nga filmi “The Six Triple Eight”).
New York Times nuk është befasuar kur pa se artistja Kristen Wiig mund të jetë konkurrente për kompozimin e saj “Will & Harper”.
Disa analistë kanë deklaruar se Lady Gaga mund të ishte e përfshirë me këngën “Folie à Deux” nga vazhdimi i filmit “Joker”.
Por, duke pasur parasysh dështimin e filmit në arkat e filmave, mungesa e saj nuk duket çudi.
(Filmi “Wicked”, i adaptuar nga shfaqja teatrale mjuzikëll “Magjistari nga Ozi”, nuk përmbante këngë origjinale, por është në garë për çmimin “Muzika më e mire”.)
Akademia ka publikuar listat e ngushta për 10 kategori dhe nominimet përfundimtare do të shpallen më 17 janar 2025.