Showbiz

Edhe një padi për sulm seksual ndaj Diddyt, i kërkohen 15 milionë dollarë dëmshpërblim

Sean "Diddy" Combs

Sean "Diddy" Combs

Foto: Associated Press

Ndaj reperit Sean “Diddy” Combs, i cili po përballet me një mori padish për krime seksuale, është ngritur edhe një padi tjetër për sulm sesksual, me të cilën paditësja LaTroya Grayson kërkon 15 milionë dollarë dëmshpërblim. 

Fox News ka raportuar se Grayson, e cila është rritur në Oklahoma, pretendon se Combs e ka sulmuar seksualisht kur ka qenë 23 vjeçe, pasi kishte marrë ftesë të shkojë në një ndejë të organizuar nga reperi në vitin 2006.

Sipas padisë, Grayson ka shkuar në ndejë më 16 tetor të vitit 2006 dhe të nesërmen ishte zgjuar në spital.

“Kur Grayson u rikthye në hotel e ka telefonuar një shoqe për t'i treguar se nuk ishte e sigurt se çfarë i kishte ndodhur, por se besonte se ishte droguar, sulmuar, grabitur dhe se nuk i kujtohet se si ka mbërritur në spital sepse gjëja e fundit që i kujtohej ishte se kishte qenë në një ndejë të Diddyt”, thuhet në padi.

Gruaja ka thënë se nuk mban mend asnjë gjë që ka ndodhur pasi i kishte konsumuar dy pije të përgatitura më parë.

Ajo ka pretenduar se kur u zgjua në spital, pa që bluzën e kishte të shqyer, të brendshmet nuk i kishte, nuk kishte këpucë dhe paratë me të cilat kishte udhëtuar i ishin grabitur.

Në padi, Grayson ka përfshirë edhe faturat e hotelit duke i bashkangjitur kopjet e informacionit të fluturimit që mbushi nga Oklahoma në New York.

Një përfaqësues i Combsit i ka mohuar akuzat e saj duke i quajtur “trillim të pastër”.

“Z.Combs nuk e ka sulmuar seksualisht askënd e as nuk është përfshirë në trafikim seksual. Zonja Grayson ka pohuar se nuk i kujtohet asgjë nga ngjarja që në padi pretendon të ketë ndodhur, nuk e di se kush supozohet të jetë i përfshirë dhe nuk ka folur asnjëherë me z.Combs. Pretendimet që ka kundër tij janë trillim i pastër. Ashtu siç e kemi cekur edhe më parë, z.Combs nuk mund t'i përgjigjet çdo padie të pabazë e as avokatëve zhvatës. Ai ka besim në procesin juridik, në të cilin faktet do të ndahen nga fabrikime oportuniste të tilla si kjo”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit për Fox Newsin.

Ndërkohë, në një ndër paditë kundër Combsit, së fundmi është përmendur edhe emri i reperit të njohur Jay-Z.

Një ndër paditëset e Combsit, ka thënë se ai dhe kolegu i tij Jay-Z, e kanë përdhunuar atë kur ishte 13 vjeçe, pas spektaklit të ndarjes së çmimeve “MTV Music Awards”, ndërkohë që një e famshme grua ka shikuar.

Jay-z, emri i vërtetë i të cilit është Shawn Carter, i ka mohur akuzat duke bërë një reagim të ashpër përmes webfaqes së kompanisë së tij “Roc Nation”.

“Këto pretendime janë natyrës kaq të neveritshme sa që ju përgjërohem që të bëni kallëzim penal e jo civil! Kushdo që do të kryente një krim të tillë kundër një të mitureje do të duhej të mbyllet në burg, a nuk do të pajtoheshit?”, ka shkruar Carter.

Combs, i cili po ashtu i ka mohuar akuzat ndaj tij, aktualisht ndodhet në paraburgim në Brooklyn të New Yorkut, ndërkohë që mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përkundër dorëzanisë prej 50 milionë dollarësh amerikanë. Gjykimi ndaj tij pritet të nisë në fillim të muajit maj të vitit të ardhshëm.