Eddie Redmayne dhe Felicity Jones i bashkuan për herë të fundit forcat në filmin The Theory of Everything”. Redmayne e luajti Stephen Hawkingun dhe Jones ish-partneren e tij Jane Wilde Hawking dhe ky ishte një kombinim fitues: Redmayne e fitoi Oscarin dhe çmimin BAFTA, ndërsa Jones u nominua për të dy çmimet. Kjo u dha karrierave të tyre një shtytje të mirë.
Ky kombinim fitues na pret përsëri në kinema dhe atë në filmin The Aeronauts, një dramë jo biografike për një çift që përpiqet t’i shtyjë kufijtë e eksplorimit me balonën e tyre me ajër të nxehtë, shkruan KOHA Ditore. Tani në trailerin e parë kemi mundësi të shohim se për çfarë bëhet fjalë.

“The Aeronauts” na kthen në vitin 1862. Redmayne është James Glaisher, shkencëtar që shoqërohet me të venë e re Amelia Wren (Jones) për të provuar dhe fluturuar sa më lart që të jetë e mundur, më lart se kushdo tjetër. Rrugës atyre u dalin pengesa: balonat me ajër të nxehtë nuk janë shumë të njohura për nxehtësinë dhe papërshkueshmërinë e tyre dhe paraqesin një rrezik të madh.
Regjinë e filmit e ka bërë Tom Harper, ndërsa skenari është shkruar nga Jack Thorne.
Përveç dyshes kryesore, në film luajnë edhe Himesh Patel, Anne Reid, Tim McInnerny dhe Tom Courtenay.
Filmi do ta ketë premierën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto këtë shtator, ndërsa në kinema do të dalë në nëntor të këtij viti.