Showbiz

Eddie Murphy rikthehet me filmin e katërt “Beverly Hills Cop”

Eddie Murphy

Pritjes i erdhi fundi. Ylli i komedisë, Eddie Murphy, po e përsërit rolin e policit të zgjuar dhe jo të zakonshëm, Axel Foley, në vazhdimin e katërt të serisë së filmave të njohur për publikun mbarë botëror, “Beverly Hills Cop”, i cili lansohet së shpejti në Netflix.

Pasi jeta e vajzës së policit Axel Foley kërcënohet, ai së bashku me të bijën detyrohen t’i bashkojnë forcat me një partner të ri dhe miqtë e vjetër të Foleyt, për të zbuluar një konspiracion.

Joseph Gordon-Levitt, Taylour Paige, Paul Reiser, Judge Reinhold, John Ashton, Bronson Pinchot dhe Kevin Bacon, po ashtu luajnë në filmin që vjen me regji të Mark Molloyt.

Filmi i parë “Beverly Hills Cop” i drejtuar nga regjisori Martin Brest, u lansua në vitin 1984 dhe ishte një sukses i madh duke fituar më shumë se 300 milionë dollarë në arkat filmike. Dy vazhdimet e radhës u publikuan më 1987 me regji të Tony Scottit dhe më 1994 me regji të John Landis.

Vazhdimi i fundit me titull “Beverly Hills Cop: Axel F” fillon transmetimin në platformën digjitale Netflix më 3 korrik.