Këngëtari, Ed Sheeran, po planifikon të iu ndihmojë shkollave përmes financimit të programeve për muzikë në mbarë vendin, pasi fillimisht financoi programin muzikor në shkollën e mesme “Thomas Mills” në Framlingham të Britanisë, ku ai kishte ndjekur mësimet,.
“Financimin e programeve muzikore e fillova nga vendi im ndërsa tani do të vazhdojmë nëpër mbarë vendin. Jam duke vizituar më shumë shkolla të mesme që kanë me të vërtetë nevojë për fonde për programeve muzikore”, ka thënë Sheeran, shkruan FemaleFirst.
Ai ka thënë se për të filluar me ndihmën për shkollat është inspiruar nga eksperienca personale.
“Nuk jam person akademik, po të mos isha i famshëm do të konsiderohesha si ‘budalla’, por ia dola në muzikë dhe prandaj njerëzit mendojnë se jam i mirë në diçka”, ka thënë tutje Sheeran.
Këngëtari ka thënë se tani shteti nuk i financon më shkollat prandaj ai po bën sa të mundet që t’i financojë ato dhe shpreson që tani do të ketë një qeveri më të mirë.
Më herët gjatë këtij viti, në një raport nga fondacioni bamirës i tij, “The Framlingham Foundation”, është bërë e ditur se ai ka dhuruar 1 milion funte britanike në departamentin e artit në shkollën e tij të vjetër.
Ky grant ka për qëllim që të sigurojë kushte më të mira mësimi, si dhe një kurs për artet ekspresive.
“Tani që është kuptuar se sa i rëndësishëm është arti për mirëqenien e nxënësve, kjo shkollë është e vendosur të ju ndihmojë nxënësve në zhvillimin e aftësive artistike. Faleminderit”, ka thënë Nikki Scholl, drejtoreshë e arteve në shkollë.
Më parë, Sheeran pati ofruar asistencë financiare edhe për programet e fotografisë dhe teknologjisë në shkollën e tij të vjetër, si dhe pati dhënë pajisje muzikore në shkollën e tij fillore, duke i lehtësuar familjet që nuk kishin mundësi t’i përballojnë shpenzimet.