Showbiz

Dua Lipa shijon një natë romantike me të fejuarin Callum Turner

Dua Lipa dhe Callum Turner

Dua Lipa dhe Callum Turner

Shqiptarja me famë botërore Dua Lipa dhe i fejuari i saj, Callum Turner, kanë kaluar një natë romantike të mërkurën, duke u shfaqur në restorantin "Chiltern Firehouse" në Londër rreth orës 2 të mëngjesit.

Daily Mail ka shkruar se çifti, për të cilët së fundmi është raportuar se jenë të fejuar, ka dalë nga aty, duke ecur dorë për dore pas një darke romantike. 
Lipa shfaqi gjithashtu unazën e saj të fejesës, e cila ka një diamant elegant me një shtresë ari 18 karat dhe vlerësohet se kushton rreth 25,000 funte britanike.

Këngëtarja 29-vjeçare kishte veshur një xhaketë lëkure ngjyrë të kuqërremtë, të cilën e kishte kombinuar me pantallona të zeza dhe çizme me printe me lëkurë gjarpri. Ajo mbante një çantë të markës Chanel ndërkohë që kishte vendosur vetëm pak grim e flokët i kishte lidhur pas.

Ndërkohë, Callum, 34 vjeç, kishte veshur një xhaketë të kaltër të errët të kombinuar me një bluzë të zezë dhe pantallona të zeza.

Çifti ka ndezur internetin së fundmi, pasi janë fotografuar duke vallëzuar nën Kullën Eifel gjatë javës së modës në Paris, duke dhënë pamjen e një çift të dashuruar.

Lipa dhe Turner nxitën thashethemet për romancën e tyre në janar të vitit 2024, kur të dy morën pjesë në një afterparty në Londër.

Para se të bëhej publike lidhja, këngëtarja e hitit “Dance the Night” ka folur për ripërtritjen e vetëbesimit pas disa lidhjeve të pasuksesshme ndërkohë që po promovonte albumin “Radical Optimism”.

“Kur bëhet fjalë për lidhjet, unë kisha nevojë të dija se për çka kam nevojë vërtet. Me çdo lidhje, me çdo përvojë, mësojmë për veten tonë, mësojmë për gjërat që na dhembin dhe se çfarë pritshmërish kemi”, pati thënë Lipa.