Showbiz

Dua Lipa fiton çmimin kryesor në ceremoninë “iHeartRadio Music Awards”

Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, është shpërblyer me çmimin kryesor të ceremonisë “iHeartRadio Music Awards” e cila zuri vend të martën mbrëma.

Këngëtarja e suksesshme 26-vjeçare triumfoi në kategorinë “Kënga më e mirë e vitit” për hitin e padiskutueshëm, “Levitating”, raporton portali “Female”.

Këngëtarja Olivia Rodrigo, rok bendi “Foo Fighters” dhe dyshja e muzikës “Silk Sonic”, ishin ndër fituesit tjerë të mëdhenj të mbrëmjes.

Ceremonia e përvitshme u mbajt në sallën “Shrine Auditorium” në Los Angeles, me ç’rast Rodrigo u nderua në kategoritë, “Pop-artistja më e mirë e re” dhe “Artistja e vitit”, derisa hiti i saj “good 4 u” e mori çmimin “TikTok Bop of the Year”. Ylli latin, Camila Cabello, po ashtu e fitoi çmimin “Kënga më e mirë ‘cover’”, për interpretimin e saj të këtij hiti.

Rok-bendi amerikan, “Foo Fighters”, u nderua me disa shpërblime përfshirë “Artistët më të mirë të muzikës rok”, “Kënga më e mirë rok” dhe “Albumi më i mirë rok”, për incizimin me titull “Medicine at Midnight”.

Dyshja e njohur e muzikës, “Silk Sonic”, e përbërë nga artistët Bruno Mars dhe Anderson Paak, u emërua “Dyshja më e mirë e vitit” si dhe i fitoi çmimet, “Kënga më e mirë R&B” për hitin “Leave The Door Open” dhe “Albumi më i mirë R&B”, për projektin e suksesshëm muzikor të titulluar, “An Evening With Silk Sonic”.

Artisti kontrovers, Lil Nas X, u shpall “Artisti i vitit” dhe para të pranishmëve në sallë, këngëtari e dha një fjalim prekës me ç’rast deklaroi se është në rregull të jesh i gabuar kur i ndjek ëndrrat tua.

Justin Bieber dhe The Kid LAROI, i fituan dy çmime gjatë mbrëmjes, “Bashkëpunimi më i mirë” për këngën “Stay” dhe “iHeartRadio Chart Ruler Award”.

Machine Gun Kelly u nderua në kategorinë “Artisti më i mirë i muzikës alternative”, ndërsa Billie Eilish u shpërblye me çmimin, “Albumi më i mirë alternativ”.

Ylli i muzikës, Jennifer Lopez, e pranoi çmimin e sivjetmë “iHeartRadio Icon Award”, kurse rep-artistja, Megan Thee Stallion, u nderua me çmimin special, “Trailblazer Award”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve muzikore, “iHeartRadio Music Awards”, u prezantua nga reperi dhe aktori, LL Cool J, kurse gjatë mbrëmjes në skenë performuan emra të njohur të industrisë, si JLo, Megan Thee Stallion, John Legend, Charlie Puth dhe fituesit e festivalit të kaluar “Eurovision”, grupi italian “Maneskin”.