Reperi Drake e ka përditësuar padinë ndaj shtëpisë së tij diskografike, “Universal Music Group” (UMG), duke pretenduar se performanca e reperit, Kendrick Lamar, në spektaklin “Super Bowl” ka “vrarë karakterin” e tij dhe ka ndihmuar në përhapjen e një narrative shpifëse ndaj tij përmes këngës “Not Like Us”, ka raportuar FemaleFirst.
Në ankesën e përditësuar për shpifje, të dorëzuar ditë më parë, reperi kanadez pretendon se performanca e Lamar në Super Bowl, së bashku me çmimet “Grammy” që kjo këngë fitoi, “i prezantuan dëgjuesit e rinj me materialin shpifës, duke i bërë edhe më shumë njerëz të besojnë se Drake ishte pedofil”.
Padia pretendon se UMG ka bërë investime të mëdha financiare dhe ka përdorur lidhjet e saj profesionale për të përforcuar akuzat që përmban kënga. Sipas dokumenteve ligjore, performanca u cilësua si më e ndjekura në historinë e “Super Bowl”, gjë që bëri që “miliona njerëz që nuk e kishin dëgjuar më parë këngën apo ndonjë prej këngëve pararendëse, të ekspozoheshin”.
Padia e përshkruan situatën si të paprecedentë. “Ishte performanca e parë dhe shpresojmë e fundit, në një ‘Super Bowl’, e orkestruar për 'të vrarë karakterin' e një artisti tjetër”.
Një detaj i theksuar nga avokatët e Drake është fakti që gjatë performancës në fjalë, Lamar hoqi fjalët “certified paedophile” nga teksti i këngës, gjë që sipas tyre e përforcon argumentin se vetë artisti e di që fraza është shpifëse.
“Nuk u bë asnjë modifikim tjetër. Besohet që Kendrick nuk do të ishte lejuar të performonte nëse nuk do ta kishte hequr fjalën ‘pedofil’ nga teksti, sepse pothuajse të gjithë e kuptojnë që të etiketosh dikë si ‘pedofil’ është shpifje”, thuhet në dokumentet e padisë.
Avokati kryesor i Drake, Michael Gottlieb, ka thënë se ky ndryshim i ri në padi “e forcon edhe më shumë një çështje që tashmë ishte e fortë”.
“Përpjekjet e dështuara të UMG për të shmangur zbardhjen e fakteve nuk mund ta mbulojnë të vërtetën. Me zbardhjen ligjore që tashmë po ecën përpara, Drake do të paraqesë prova të sjelljes së pahijshme të UMG, dhe kjo kompani do të mbahet përgjegjëse për vendimet e saj të pamenduara”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, Universal Music Group i ka mohuar të gjitha akuzat dhe e ka quajtur padinë “të pakuptimtë dhe qesharake”.
“Drake, pa dyshim një nga artistët më të suksesshëm në botë dhe me të cilin kemi një marrëdhënie 16-vjeçare, po mashtrohet nga përfaqësuesit e tij ligjorë për të ndërmarrë hapa absurdë. Procedurat në Teksas dhe New York janë fyerje për të gjithë artistët dhe lirinë krijuese. Nëse avokatët e tij vazhdojnë kot së koti këtë proces në New York, do të dëshmojmë që të gjitha pretendimet janë të pabazuara. Është për të ardhur keq që këto lojëra ligjore të pakuptimta po vazhdojnë. Ato po i kushtojnë me reputacion dhe financiarisht vetë Drakeut, dhe nuk kanë asnjë shans për sukses”, thuhet në deklaratën e UMG.