Disenjatorja Donatella Versace do të largohet nga posti i saj si drejtoreshë kreative e shtëpisë së modës “Versace”, pas gati tri dekadash në krye të krijimtarisë së brendit të themeluar nga i ndjeri Gianni Versace.
Lajmi u konfirmua nga Capri Holdings (CPRI.N), e cila zotëron “Versacen” që nga viti 2018, dhe vjen në mes të raportimeve se brendi "Prada" po i afrohet një marrëveshjeje për të blerë “Versacen” për 1.5 miliard euro (1.6 miliard dollarë), ka raportuat Reuters.
Dario Vitale, ish-drejtor i dizajnit dhe imazhit në brendin e njohur “Miu Miu” (një markë e grupit “Prada”), do të zëvendësojë disenjatoren si drejtor kreativ më 1 prill.
“Është nderi më i madh i jetës sime”, ka thënë disenjatorja Versace.
Në një deklaratë emocionale, 69 vjeçja, ka thënë se do të marrë rolin e ambasadores kryesore të markës “Versace”, duke mbështetur drejtimin e ri të kompanisë.
“Ka qenë nderi më i madh i jetës sime të vazhdoj trashëgiminë e vëllait tim Gianni. Ai ishte gjeniu i vërtetë, por shpresoj se kam trashëguar pak nga shpirti dhe këmbëngulja e tij. Jam e lumtur që Dario Vitale do të bashkohet me ne dhe mezi pres të shoh ‘Versacen’ përmes syve të tij të rinj”, ka thënë ylli i modës.
Largimi i Donatella Versace në një kohë të vështirë për markën
Versace, e njohur për estetikën e saj të guximshme dhe provokuese, ka hasur në vështirësi kohët e fundit.
Rënia e të ardhurave – Marka ka raportuar rënie prej 6.6% në të ardhurat vjetore, duke siguruar vetëm 1.03 miliard dollarë për vitin fiskal që u mbyll në muajin mars të vitit 2024.
Humbje operacionale – Për tre tremujorë rresht, kompania ka raportuar humbje operacionale, ndërkohë që parashikohet që shitjet të bien më tej në 810 milionë dollarë brenda këtij viti, përpara se të rikuperohen në vitin 2027.
Shitja e mundshme e markës – Kompania “Capri Holdings” ka blerë “Versacen” për 1.8 miliard euro (1.87 miliard dollarë ) në vitin 2018, por tani po kërkon ta shesë, duke e vënë markën në një periudhë pasigurie.
Tendenca e largimeve të kreatorëve në industrinë e luksit
Industria e modës ka përjetuar një valë të madhe ndryshimesh në lidershipin kreativ. Më herët këtë vit, disenjatori Sabato De Sarno u largua nga brendi “Gucci” pas më pak se dy vjetësh në krye të dizajnit.
Sipas Reuters shitjet e mallrave luksoze kanë rënë për shkak të kërkesës më të ulët nga konsumatorët kinezë si dhe inflacionit që ka ndikuar te blerësit në mbarë botën.