Showbiz

Dokumentarët që trajtojnë temën e akuzave seksuale me të cilat përballet P. Diddy

P Diddy

Disa dokumentarë po hulumtojnë ngjarjet që kanë çuar në akuzat për krime seksuale me të cilat po përballet reperi i njohur Sean “Diddy” Combs.

Yahoo ka bërë një lloj liste të këtyre dokumentarëve që po e trajtojnë këtë çështje:

1. “Diddy: The Making of a Bad Boy” (shfaqet prej datës 14 janar në platformën Peacock)

Ky dokumentar 90-minutësh flet për vitet e hershme të Combsit në Mount Vernon, New York, dhe ngjitjen e tij në maja të suksesit si themelues i labelit të njohur “Bad Boy Records”.

Aty do të përfshihen intervista me miq të fëmijërisë së reperit dhe njerëz që e kanë njohur gjatë karrierës së tij. Al B. Sure!, ish-partner i Kim Porter (ish-gruaja e Combs), jep intervistën e tij të parë ku do të përfshihen video me pamje të panjohura të Combsit në festa dhe në studio.

Ashley Parham, që ka paditur Combsin, ka thënë se ai e ka përdhunuar me një telekomandë të televizorit, akuzë që avokati i Combsit e mohoi.

Al B. Sure! vdekjen e Kim Porterit e quajti “vrasje”, duke vënë në dyshim rrethanat e vdekjes së saj, megjithëse policia e cilësoi si vdekje natyrale.

Sara Rivers nga grupi “Da Band” ka thënë se Combs e ka keqtrajtuar verbalisht dhe ka abuzuar me të seksualisht.

Një ish-punonjës anonim pretendon se Combsit ka pasur marrëdhënie seksuale me të mitura dhe e dërgonte atë të kërkonte vajza për të.

2. Projekti filmik i reperit të njohur 50 Cent që do të shfaqet në “Netflix”

Reperi i njohur 50 Cent, emri i vërtetë i të cilit është Curtis Jackson, ka qenë kritik ndaj Combsit për vite me radhë dhe ka punuar në një dokumentar për  platformën “Netflix” që do të flasë gjithashtu për akuzat ndaj tij. Ky projekt do të shtojë edhe më shumë vëmendje mbi veprimet e Combsit dhe trashëgiminë e tij.

3. “Quiet on Set: The Dark Side of Kids TV” (Partneritet me Rolling Stone)

Ky dokumentar përfshin më shumë se 30 intervista me akuzuesit e Combsit, ish-miqtë dhe ish-punonjësit e tij, duke theksuar akuzat për ngacmime dhe abuzime seksuale. Ai fokusohet në anën e errët të karrierës së Combsit, veçanërisht lidhur me marrëdhëniet e tij me gratë dhe sjelljen gjatë periudhës së spektaklit “Making the Band”. Reperi Lol Rod, emri i vërtetë i të cilit është Rodney Jones, i cili ka paditur Combsin për ngacmime seksuale, dhe Thalia Graves, që akuzon Combs se e ka përdhunuar në vitin 2001, flasin për eksperiencat e tyre.

Ky dokumentar do të përfshijë “zëra të rinj” dhe histori tronditëse të akuzuesve që nuk janë bërë ende publike, si dhe do të shfaqë pamje të pabotuara më parë nga jeta e Combsit.

4. Seria e dokumentarëve të të famshmëve

Një seri dokumentarësh që fokusohet në ngjarje të ndryshme të rëndësishme në historinë ligjore të Combsit, si bastisjet e FBI-së në shtëpitë e tij, ngritjen e akuzave dhe të ashtuquajturat “festat e çmendura”.

Avokati i Combsit, Marc Agnifilo, ka mbrojtur klientin e tij, duke thënë se akuzat janë përpjekje për të rrëzuar një njeri të suksesshëm afro-amerikan.
Një grua që pretendon se ka marrë pjesë në një nga “festat e çmendura” gjithashtu flet në këtë seri.

Këta dokumentarë po shqyrtojnë në detaje akuzat ndaj Combs, ndërkohë që ai vazhdon të mohojë çdo akuzë për abuzim ose keqtrajtim.

Aktualisht “ikona globale” gjendet në paraburgim në Brooklyn të New Yorkut ndërkohë që mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përfshirë dorëzaninë prej 50 milionë dollarësh amerikan. Gjykimi ndaj tij pritet të nisë të hënën e parë të muajit maj.