Avokatët e reperit të njohur amerikan, P. Diddy kanë bërë prapë kërkesë që klienti i tyre të mbrohet në liri.
Reperi 55 vjeç, aktualisht po qëndron në paraburgim në Brooklyn në New Yorkut, nën akuzat për krime seksuale.
Sipas revistës “People”, gazetari i se cilës i ka parë dokumentet në fjalë, është raportuar se përmes kërkesës së fundit, ekipi mbrojtës i Diddyt, rastin e tij e përshkruajnë si “të zbehtë”.
Avokatët kanë vënë në pikëpyetje videon që është bërë publike, në të cilën reperi shihet duke e sulmuar fizikisht ish të dashurën e tij në korridorin e një hoteli, duke thënë se kjo video nuk paraqet provë për atë që akuzohet klienti i tyre.
“Videoja nuk është provë për ‘ndejat e çmendura’, por më shumë duket të jetë një pamje e një marrëdhënieje të ndërsjellë, një dekadëshe, në mes të z. Combs dhe Viktimës 1”, thuhet në deklaratën e avokatëve.
Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, është deklaruar i pafajshëm dhe mbrojtja në liri i është mohuar dy herë nga dy gjykatës të ndryshëm, përfshirë dorëzaninë prej 50 milionë dollarësh.
Sidoqoftë, pas një debati të gjatë në mes të ekipit mbrojtës të Combsit dhe gjykatëses Robyn Tarnofsky, është bërë e ditur se “ikona globale” do të qëndrojë në paraburgim derisa të fillojë gjykimi kundër tij, në muajin maj të vitit të ardhëm.
Avokati i Combsit, Mark Agnifilo, pati shpjeguar se klienti i tij është i vendosur ta dëshmojë pafajësinë.
“Ai do ta luftojë këtë. Ai është i pafajshëm. Ai erdhi ne New York për ta vërtetuar pafajësinë. Ne i besojmë me gjithë zemër. Ai nuk i ka bërë këto gjëra. Nuk ka asnjë shantazh e as një krim”, pati thënë avokati.