Showbiz

Diddy akuzohet se e ka detyruar ish-asistentin t’i pastrojë gjurmët pas “ndejave të egra”

P.Diddy

Foto: Associated Press

Moguli i repit Sean “Diddy” Combs, i cili ndodhet në paraburgim, duke u përballur me më shumë se 30 padi me akuza për krime seksuale, së fundmi po akuzohet edhe nga ish-asistenti i tij, i cili pretendon se reperi e ka detyruar të pastrojë pas “festave të egra të mbretit”.

The Guardian ka shkruar se avokati i personit me emrin Phillip Pines, në padinë e ngritur në gjykatën e Los Angelesit, pretendon se në mes të muajit dhjetor të vitit 2019 dhe dhjetorit të vitit 2021, Combs i ka bërë presion Pinesit që të kryente marrëdhënie intime me një grua dhe të orkestronte ndeja ku po ashtu ai përfshihej në detyrime për të kryer marrëdhënie intime, për të konsumuar narkotikë si dhe alkool.

Pines, i cili thotë se në atë kohë i ishte dhënë titulli “asistent i lartë”, pretendon se i ishte kërkuar që të organizonte ngjarjet e ashtuquajtura “ndejat e egra të mbretit”.

Ai, në padi, gjithashtu pretendon se Combs me vetëdije i ekspozonte mysafirët e famshëm ndaj virusit Covid19, në ndejën që pati organizuar për ditëlindjen e tij të 51-të, dukë dhënë detaje se Combs e ka detyruar të përfshihej në marrëdhënie seksuale me një grua të ftuar në festë.

Pines gjithashtu pretendon se është dëshmitar i një ngjarjeje ku Combs e kishte goditur një nga të ftuarit në ndejën e tij në Miami.

Pines, në padi, gjithashtu pretendon se detyrat e tij si “asistent i lartë” ishin që të aranzhonte lëndët narkotike, alkoolin dhe disa vegla e pajisje që kishin lidhje me marrëdhëniet seksuale, si dhe të pastronte pas ndejave, përfshirë largimin e provave të përdorimit të narkotikëve dhe mbetjet e gjurmëve të njollave trupore nëpër dhoma, fshirjen e çdo videoje komprometuese nga pajisjet e Combsit dhe të sigurohej që askush s’do të fliste se çfarë ka ndodhur brenda festës.

Ish-asistenti i reperit pretendon se në shumë ngjarje të tilla, Combs i kërkonte që të përgatiste dhomat duke siguruar drita të kuqe, shporta me akuj, alkool, marihuanë, paketime me mjaltë për të rritur libidon e burrave, vaj bebesh, peshqir, droga të tjera ilegale dhe makineri për kryerjen e akteve intime.

Pines në padinë e tij gjithashtu ka cekur se Combs shpesh e testonte besnikërinë e tij, duke i kërkuar të kthehej në punë vetëm që ta gjente telekomandën për ta ndezur televizorin dhe duke i thënë se detyrat e tij të pastrimit ishin vendosur që të mos ketë shpenzime të panevojshme për shërbimin e pastrimit nëpër hotele.

Combs, aktualisht ndodhet në paraburgim në Brooklyn të New Yorkut.

“Ikonës globale”, mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përfshirë dorëzaninë prej 50 milionë dollarësh amerikan. Gjykimi ndaj tij pritet të nisë në fillim të muajit maj të vitit të ri.