Aktori, Denzel Washington, ka pranuar se është prekur thellë emocionalisht gjatë shikimit të filmit “Black Panther” në kinema.
Aktori 70-vjeçar, i njohur për rolet e tij si personazh i fuqishëm dhe stoik, ka zbuluar një anë tjetër të tij duke rrëfyer për përvojën në premierën e filmit në vitin 2018.
“Qava pak kur pashë ‘Black Panther’. Isha në teatër duke luajtur në ‘The Iceman Cometh’ dhe shkova në premierë, por nuk më interesonte qilimi i kuq dhe gjithë ajo vëmendje. Kështu që shkova prapa skene dhe takova Chad (Boseman) dhe Ryan (Coogler). Fola me ta dhe më pas u ula për të parë filmin. Dhe ndjeva sikur stafetën e kishin marrë ata. Mendova me vete: ‘Uau, këta djem të rinj po shkëlqejnë”, ka thënë aktori, ka raportuar People.
Filmi “Black Panther”, ku luan edhe aktori Michael B. Jordan, është vlerësuar si një arritje e madhe për përfaqësimin e superheronjve afroamerikanë në kinema.
“Nuk e dija atëherë se do të arrinin të fitonin një miliard dollarë, por e bënë. Ky ishte një moment i veçantë për mua. Nuk e di nëse fjala e duhur është ‘i lehtësuar’, por u ndjeva krenar për atë që kishin arritur dhe për drejtimin ku po shkonin”, ka thënë tutje aktori.
Washington, fitues i çmimit “Oscar”, pritet të shfaqet në filmin e ardhshëm “Black Panther”, ku regjisori Ryan Coogler po shkruan një rol për të.
Filmi ka të bëj me komunitetin afromerikan i cili mundohet ta rimëkëmbë vendin e tij. Pas vdekjes së babait të tij, T’Challa kthehet në atdhe, kombin afrikan të Wakandës, për të marrë vendin e tij të ligjshëm si mbret. Megjithatë, kur një armik i fuqishëm rishfaqet papritur, T’Challa vihet në provë si mbret dhe si “Black Panther”, ndërsa përfshihet në një konflikt që rrezikon jo vetëm fatin e Wakandës, por edhe të gjithë botës.
I përballur me tradhti dhe rreziqe të mëdha, ai duhet të mbledhë aleatët e tij dhe të çlirojë fuqinë e plotë të “Black Pantherit” për të mundur armiqtë dhe për të siguruar të ardhmen e popullit të tij.
Aktori i njohur Laurence Fishburne, 63 vjeç, e ka vlerësuar filmin “Black Panther” si moment historik për përfaqësimin e njerëzve afroamerikanë në kinematografi.
Në dokumentarin “Number One on the Call Sheet”, ai e ka përshkruar filmin si një realizim që komuniteti i tij e kishte pritur për një shekull.
“‘Black Panther’ për mua ishte si një film që afroamerikanët e kishin pritur për 100 vjet. Duket sikur kemi pritur një shekull për një film të tillë. Sepse në këtë film nuk kemi vetëm një princ. Kemi dy princa, me Chad (Boseman) dhe Michael B. (Jordan)”, ka thënë Fishburne, i njohur për rolet e tij në filmat si “What's Love Got to Do with It” dhe “The Matrix”.
Ai ka shtuar se ky film solli diçka të paprecedentë në historinë e kinemasë.
“Deri tani, nuk kishim parë kurrë diçka të tillë në kinema. Nuk e kishim përjetuar më parë. Për mua, ishte sikur gjithë historia jonë të ishte përmbledhur dhe transformuar në këtë botë fantastike të Wakandës. Një botë që lindi nga nevoja jonë për të pasur heronj të tillë dhe këtë lloj përfaqësimi”, ka thënë ndër të tjera aktori.
Episodi i parë i dokumnetarit, me regji të Reginald Hudlin, fokusohet tek aktorët burra afroamerikanë dhe përfshin intervista me aktorë të njohur si Washingtoni, Eddie Murphy, Morgan Freeman, Will Smith dhe Jamie Foxx.
Episodi i dytë, me regji të Shola Lynch, u kushtohet grave afromamerikane në Hollywood, me pjesëmarrjen e aktoreve Halle Berry, Viola Davis, Gabrielle Union dhe të tjerave.
Dokumentari gjithashtu nderon trashëgiminë e aktorit Chadwick Boseman, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2020 në moshën 43-vjeçare pas një beteje me kancerin, duke theksuar rëndësinë kulturore të vazhdueshme të “Black Panther”.
Traileri i filmit "Black Panther":