Aktori i njohur i Hollywoodit, Denzel Washington, ka shpërthyer së fundmi me kritika ndaj politikës amerikane, duke thënë se të dyja partitë politike përdorin taktika manipulative për të kontrolluar opinionin publik.
Në një intervistë për The Sunday Times, Washington ka theksuar se tani të gjithë janë të varur nga informacioni.
“Ne të gjithë jemi skllevër të informacionit tani. Në të vërtetë, jemi të gjithë skllevër”, ka thënë Washington duke shtuar se njerëzit, pavarësisht se si ndihen për liderët, duhet të kuptojnë që të dyja anët po i manipulojnë.
“Të dyja palët po ju manipulojnë. Pikë”, ka shtuar ai, duke u munduar t’i lehtësojë pak rrethanat duke i inkurajuar njerëzit që të shkojnë të shohin filma.
“Po, pra. Shkoni në kinema”, ka thënë ndër të tjera ylli.
Aktori e ka lidhur situatën aktuale politike në SHBA me një thënie nga filmi i tij i ardhshëm Gladiator II: “Empires fall, so do emperors” (“Perandoritë bien, ashtu siç bien edhe perandorët”).
“Po, është shumë e lehtë të thuash këtë jashtë Amerikës. Por kthehu, zgjidh një vend. Cilindo. Tani në këtë epokë të informacionit, kushdo, e majta, e djathta, duhet të mësojë se si të përdorë këto mjete për të manipuluar njerëzit”, ka thënë ai.
Aktori më tej iu referua një citati nga filmi i tij i vitit 1981, “Carbon Copy”, ku thuhet: “Pushtet për popullin? Po, ata e patën njëherë, quhej Epoka e Gurit”.
Në të njëjtën intervistë, Washington gjithashtu reflektoi për karrierën e tij, duke përmendur periudhën pas projektit filmik "Malcolm X’"të vitit 1992, kur ai ka luajtur në disa filma që nuk kishin sukses.
“Pas ‘Malcolm X’, kam bërë disa filma të këqij. Mund t’i kërkoni nuk do t’i them emrat” ka thënë ai, duke iu referuar disa projekteve të tij të viteve ‘90.
Megjithatë, ai ka pranuar se në atë kohë po punonte shumë për të mbajtur familjen dhe për të siguruar të ardhura.
Duke folur për vitet 2000, kur ai kishte fituar famë të madhe me filmat “The Hurricane” (2000) dhe “Training Day” (2001), që i dha çmimin e dytë “Oscar”, Washington ka shpjeguar se si kanë rrjedhur gjërat në jetën e tij.
“Në jetë, mëson, fiton dhe pastaj kthen, pra, jep. Nëse jeta jote është 90 vjet, deri në 30 mëson, nga 30 deri në 60 fiton”, ka thënë ai.
Ai ka shpjeguar se gjatë asaj periudhe ishte i fokusuar në karrierën e tij dhe në përmbushjen e detyrimeve familjare.
“Me një agjent të shkëlqyer, karriera ime u ndërtua për të fituar para dhe kështu ndodhi”, ka thënë ai, duke shtuar se ishte një periudhë e ngarkuar me përgjegjësi si baba i katër fëmijëve dhe kryefamiljar.