Aktori i njohur amerikan, Denzel Washington, ka paralajmëruar se do të pensionohet.
69-vjeçari ka bërë të ditur se një nga filmat e fundit ku do të shfaqet është “Blank Panther”.
“Nuk e di edhe sa filma të tjerë do t’i bëj. Ndoshta jo edhe aq shumë. Dua t’i bëj disa gjëra që nuk i kam bërë. Kam luajtur Othellon kur isha 22 vjeç dhe do ta luaj prapë kur të jem 70 vjeç. Pas tij do ta luaj Hannibalin. E pas këtij, kam folur me Steve McQuineen për një film. Pas këtij, Ryan Coogler po shkruan një skenar për mua në filmin e radhës ‘Black Panther’”, ka thënë Washington në një intervistë në Australias Today Show.
Ai më pas ka përmendur edhe disa projekte të tjera ku do të marrë pjesë, përfshirë rolin e tij “Mbreti Lir” (King Lear).
“E pas kësaj do të dal në pension”, ka thënë ylli.
Ndërkohë, filmi “Black Panther” është bërë një nga franshizat më fitimprurëse, në të cilën kanë luajtur aktorë të njohur si Chadwick Boseman, Lupita Nyong’o dhe Michael B.Jordan. Filmi ka arritur t’i grumbullojë më shumë se 1.3 miliardë dollarë amerikan nëpër arkat filmike. Boseman ka vdekur në moshën 43 vjeçe në vitin 2020 nga sëmundja e kancerit në zorrën e trashë.
Këto ditë, Washington, është i fokusuar që ta promovojë filmin “Gladiator II”, i cili u ri-krijua dy dekada pas origjinalit, në të cilin ka luajtur aktori i njohur Russell Crowe.
Në vazhdimin e origjinalit, aktori Paul Mescal luan rolin e Lucious Verus II (të rritur), i cili është djali i “Maximusit” – karakterit që ka luajtur Crowe – e i cili detyrohet të bëhet skllav dhe bëhet gladiator në mënyrë që ta fitojë lirinë, ashtu siç bën babai i tij në filmin e parë.
Washington portretizon “Macrinusin”, një ish-skllav, i cili është mentori i Luciusit.
Aktori ka lënë të nënkuptohet se do të pensionohet dikur rreth muajit gusht të vitit të ardhshëm.
“Kanë mbetur edhe disa filma në të cilat jam i interesuar të luaj. Duhet të inspirohem nga krijuesi i filmit dhe Ridley më ka inspiruar jashtëzakonisht shumë”, pati thënë ai për revistën Empire.
Dyshja pati punuar bashkë në filmin e mirënjohur të vitit 2007, “American Gangster”.