Aktorja e famshme amerikane, Demi Moore, ish-bashkëshortja e aktorit të njohur, Bruce Willis, i cili vuan nga demenca, ka thënë se gjendja e tij është stabile.
Moore pasi doli në skenë për ta pranuar një çmim në “Hamptons International Film Festival”, përmendi gjendjen e ish-bashkëshortit të saj, shkruan “Fox News”.

“E kam thënë edhe më parë këtë. Kjo sëmundje na bën të kuptojmë se çka është sëmundja dhe mendoj se duhet të jesh tepër i fortë për ta pranuar se çfarë lloji i sëmundjes është kjo. Por duke e ditur se nëpër çfarë po kalon, gjendja e tij është stabile”, ka thënë Moore.
Familja e Willisit pati bërë të ditur se ai ishte diagnostikuar me sëmundjen aphasia, lloj i demencës, në pranverë të vitit 2022 dhe muaj më vonë Moore pati bërë të ditur se sëmundja i ka përparuar.
“Familja jonë dëshiron të fillojë duke shprehur mirënjohjen e thellë ndaj dashurisë e mbështetjes që po na ofrohet që kur kemi bërë të ditur diagnozën e Bruceit. Pasi ka ndodhur kështu, deshëm të ju informojmë rreth gjendjes që ka bashkëshorti, babai e shoku ynë, pasi tani po e kuptojmë më mirë atë se me çfarë është duke u përballur”, pati shkruar Moore në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram, në muajin shkurt të vitit 2023.

Ajo ka shpjeguar se fillimisht, në pranverë të 2022-ës, Willis ishte diagnostikuar me sëmundjen aphasia dhe se më pas ka përparuar kjo sëmundje dhe diagnoza e tij specifike ishte demenca frontemporale e njohur si FTD.
“Fatkeqësisht sfidat me komunikimin janë vetëm një nga simptomat me të cilat përballet Bruce. Ndërkohë që kjo është e dhimbshme, por është pak lehtësuese që tash e kemi diagnozën”, pati shkruar tutje Moore.
Tani aktorja dhe familja e aktorit kanë mësuar se si të punojnë me diagnozën e tij.
“National Institute of Ageing” ka deklaruar se FTD-ja është rezultat i dëmtimit të neuroneve që ndodhen në zonën frontale dhe temporale të trurit.

“Mund të ketë simptoma të ndryshme, përfshirë sjelljen e pa zakonshme, problemet emocionale, vështirësi në komunikim, vështirësi në punë si dhe vështirësi në të ecur”, thuhet në deklaratë.
Ylli i filmit “Die Hard” është pensionuar nga aktrimi në vitin 2022, pas diagnostikimit me aphasia.
Moore e Willis ishin bashkë për 13 vjet deri më 2000. Ata kanë tri vajza.