Deklarata e shqiptares me famë botërore, me prejardhje nga Dibra, Bebe Resha, se Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Presheva janë Shqipëria e saj, ka nxitur reagime.

Ajo këtë deklaratë e ka shkruar pasi ka qëndruar disa ditë në trojet shqiptare, ndërkohë që ishte e ftuar të performonte në festivalin “Sunny Hill”, të organizuar nga shqiptarja tjetër me famë botërore, Dua Lipa.
Pas postimit të Rexhës, fotografi që jeton e punon në Beograd, Ilija Milosavleviq, ka reaguar duke komentuar me gjuhë fyese në postimin e saj.
“Për shkak që ti i përkrah xhihadistët e tillë, shtetet evropiane do të bien. Gëzohem që do të bien. Por hej ‘muzika vetëm i bashkon njerëzit, nuk më intereson për politikë’, deri sa të vie te dera, e pastaj është shumë vonë”, ka shkruar Milosavleviq.

Përmes InstaStoryt, këngëtarja i ka thënë fotografit të “qëndrojë i zemëruar” ndërkohë që ka postuar emojit e flamurit kombëtar.
Më pas ajo ka postuar edhe një tjetër shkrim ku ka treguar për vështirësitë që kanë kaluar shqiptarët ndër vite.

“Shqiptarët janë përballur me kufij të imponuar shtetërorë, duke ndarë njerëzit me gjak e komb të njëjtë në vende të ndryshme. Sidoqoftë, kur mendoj për shqipatrët, kufijtë shtetërorë kanë domethënie të vogël për mua. Mendoj për gjuhën tonë të bukur, traditat tona, muzikën e vallëzimin e shumë e shumë elemente të tjera të përbashkëta që nuk mund të izolohen përmes kufinjve. Jam thellësisht e dashuruar në rrënjët e mia, krenare që jam shqiptare dhe jam krenare për çdo shqiptar që ende jeton në këto toka, si dhe shumë të tjerë që jetojnë në Amerikë, Evropë e në mbarë botën. Ju dua të gjithëve”, ka shkruar ylli.
Rexha përderisa po qëndronte në Prishtinë për festival, shkoi në vendlindjen e babait të saj, Dibër, nga ku ka postuar shumë fotografi e video, ku shihej duke kaluar kohë me rrethin e ngushtë familjar.