Showbiz

De Niro rikthehet në rolet e mafiozëve italianë

Robert De Niro

Robert De Niro në dy role

Aktori Robert de Niro, është rikthyer në rolet e mafiozëve italianë në filmin e ri me titull “The Alto Knights”, i cili është triller kriminal i drejtuar nga regjisori Barry Levinson. 

Revista Variety, pas publikimit të trailerit ka shkruar se ky film premton drama të mëdha dhe dinamika të njohura mafioze. 

De Niro në film luan rol të dyfishtë, duke interpretuar dy bosë mafiozë, Vito Genovese dhe Frank Costello, dy figura të fuqishme në familjen kriminale Genovese të New York-ut. 
Historia zhvillohet në mesin e shekullit të 20-të dhe fokusohet në përpjekjen e Genovese për të vrarë Costello-n në vitin 1957.

De Niro nuk është i panjohur për rolet mafioze, pasi ka luajtur në disa nga filmat më të njohur me këtë tematikë si “Goodfellas”, “Casino” dhe “The Godfather Part II”. 

VIDEO:

Në rolin e gruas së Costello-s, Bobbie, është aktorja Debra Messing, ndërsa aktorja Kathrine Narducci luan gruan e Genovese-s, Anna. Skenari i filmit është shkruar nga Nicholas Pileggi, i njohur për punën e tij në “Goodfellas”, bazuar në romanin e tij “Wiseguy”.

Në një intervistë që pati dhënë në muajin mars të vitit 2023, Levinson e pati përshkruar historinë e “The Alto Knights” si një histori “të miqve më të mirë që bëhen armiq të përbetuar”. 

“Është e mrekullueshme. Ai është një aktor i jashtëzakonshëm. Ishte si të punoja me dy aktorë të ndryshëm”, pati thënë ai për rolin dyfishtë të De Niros.

“The Alto Knights” e ribashkon De Niron me Levinsonin, të cilët kanë bashkëpunuar më parë në filma si “Wag the Dog” dhe “The Wizard of Lies”.

Filmi pritet të dalë në kinema më 21 mars të këtij viti. 

Traileri tregon një histori të ngarkuar me tradhti dhe pushtet në botën e mafias, ndërsa për rolin e dyfishtë të De Niro-s, Variety shkruan se do të jetë një nga momentet më të paharrueshme të filmit.