Erivo ka thënë se pamja e Elphabas, me flokë të gërshetuar, thonj të gjatë dhe lëkurë të gjelbër, përfaqëson ndjenjën e “të qenit ndryshe”
Aktorja Cynthia Erivo, që luan rolin ikonik të Elphabas në projektin filmik “Wicked”, ka rrëfyer se interpretimi i saj ka qenë i frymëzuar nga përvoja personale e të qenit shpesh “e përjashtuar” për shkak të ngjyrës së lëkurës dhe prejardhjes.
Në një intervistë për revistën britanike HELLO!, aktorja ka thënë se çdo detaj i pamjes së saj në film, nga gërshetat deri te thonjtë, është i qëllimshëm, ka raportuar FemaleFirst.
“Gërshetat janë me qëllim, i kërkova unë. Thonjtë janë me qëllim, i kërkova unë. E gjelbra përfaqëson çdo person që ndihet ndryshe, që ndihet i përjashtuar, i pashoqëruar, i papranuar”, ka thënë Erivo.
Aktorja 38-vjeçare ka shtuar se ky rol ka reflektuar edhe në krenarinë e saj si grua afroamerikane që shpesh nuk shihet si protagoniste në skena të mëdha.
“Ka edhe një shtresë tjetër: ‘Kush jam unë në thelb?’ – sepse, si gra afroamerikane, shpesh hyjmë në ambiente ku nuk pranohemi lehtë dhe nuk na ofrohet vendi kryesor. Shpesh jemi ‘të tjerat’. Dhe krenaria që kam për të qenë një grua e zezë është gjithashtu pjesë e këtij roli”, ka thënë ajo.
Erivo e quajti këtë interpretim si “sfidë të bukur”, sepse, siç tha ajo, ishte thelbësore që publiku të shihte njerëzoren dhe ndjeshmërinë e Elphabas përtej ngjyrës së gjelbër që e bën aq të dallueshme.
“Duhej të sigurohesha që njerëzit ta shihnin brishtësinë e saj, njerëzoren e saj. Ngjyra e gjelbër mund të të shpërqendrojë, por synimi ishte që shikuesi të depërtojë përmes saj dhe të njohë dhimbjen dhe shpirtin e saj të brendshëm”, ka thënë ylli.
Erivo ka treguar gjithashtu përvojën me kolegen e saj, aktoren Ariana Grande, me të cilën thotë se krijoi menjëherë një lidhje të veçantë që në ditët e para.
“Kur e morëm vesh që do ishim bashkë në film, e ftuam njëra-tjetrën për t’u takuar. Ajo erdhi në shtëpinë time, u ulëm dhe folëm për orë të tëra. Në atë moment e kuptuam se kishim një lidhje të menjëhershme”, ka thënë Erivo.