Fotografia të cilën e ka postuar së fundi aktorja Courteney Cox, e njohur për rolin e saj në serinë "Friends", ka mbledhur më shumë se një milion pëlqime në Instagram në një kohë rekorde. Fotografia u krijua para fillimit të xhirimeve të "Friends", një nga sitcomet më të suksesshme të xhiruara ndonjëherë.
Është interesante se fotoja nuk ishte publikuar kurrë ndërsa në të gjenden protagonistët e kësaj serie Jennifer Aniston, e cila e ka luajtur Rachel, David Schwimmer (Ross), Matt LeBlanc (Joey), Matthew Perry (Chandler), Lisa Kudrow (Phoebe) dhe vetë Courteney Cox, e cila e luajti Monicën.
"Fotoja në të cilën të gjashtët shkojmë në Las Vegas, kur asnjëri prej nesh nuk e dinte se jemi Friends", shkroi Cox në përshkrimin e fotos së saj.
Besohet se ky postim është në fakt një referencë për një udhëtim që ishte organizuar nga regjisori James Burrows para se ata t’i fillonin xhirimet e pilot episodit të serialit "Friends", i cili më vonë do të bëhej i famshëm në botë, shkruan KOHA Ditore.
Sipas thashethemeve, Burrows thuhet se donte që Cox dhe ekipi t’i shijonin momentet e tyre të fundit të anonimitetit para se të bëheshin yje televizive.
Episodi i parë i "Friends" u shfaq në vitin 1994, ndërsa i fundit u transmetua në vitin 2004, përcjell Sky News.