Komediani i njohur, fitues i çmimit “Emmy” Conan O'Brien ka zbuluar se si planifikon të qaset ndaj detyrave si moderator i ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Oscar”.
Ylli 61-vjeçar është caktuar për të moderuar edicionin e 97-të të spektaklit të ndarjes së çmimeve “Oscars”, më 2 mars. Ai është i vendosur të “ngrejë humorin e njerëzve” gjatë ceremonisë.

“Është një festë për një industri të tërë dhe për njerëz nga çdo shtresë shoqërore që japin gjakun, djersën dhe lotët për shoubizin”, ka thënë ai për revistën People.
Conan ka pranuar se është frymëzuar nga moderatorët e mëparshëm të ngjarjes në fjalë, si Johnny Carson dhe Bob Hope.
“Mendoja për kohën kur isha fëmijë dhe shikoja ‘Oscarin’, dhe isha shumë i interesuar të shihja Johnny Carsonin si moderator, dhe mendoj se kam ndjekur Bob Hopen që nga fillim. Reagimi im i brendshëm, që zakonisht e ndjek, ishte: ‘Po, le të bëjmë këtë!’”, ka thënë ylli televiziv.
O’Brien gjithashtu ka kontaktuar Billy Crystal dhe Jimmy Kimmel, dy ish-moderatorë të spektaklit, për të marrë disa këshilla. Ai e cilëson Billyn, 76-vjeçar, si moderatorin më të mirë të “Oscarit” të të gjitha kohërave.
“Kam pasur komunikim të mirë me Billy Crystalin, i cili është padyshim më i madhi i të gjithëve. Dhe javën e kaluar kam darkuar me Mollyn (Molly McNearney, gruan e Jimmyt, e cila dy herë ishte producente ekzekutive e ngjarjes) dhe Jimmyn. Ata ishin të mrekullueshëm dhe më dhanë shumë këshilla të shkëlqyera”, ka treguar tutje komediani.
Ai ka thënë se biseda me ta është sikur të biesh në kontakt me njerëz që njohin një rrugë në detaje.
“Është sikur të tregojnë detaje nga rruga ‘kur të arrish në kthesën e tretë, ka një gropë të madhe, kështu që kthehu në të majtë’. Këto janë informacione të çmuara”, ka thënë O’Brien.
Megjithatë, ai e pranon se pritshmëria për të moderuar ceremoninë do të jetë sfidë.
“Nuk ekziston asnjë moment profesional ku nuk ka nervozizëm e emocione kur punon në komedi. Jam shumë i vetëdijshëm se është një shfaqje ikonike dhe mund të jetë e vështirë ... Më pëlqen të përballëm me sfidat”, ka thënë ndër të tjera ai.