Showbiz

“Coldplay” së shpejti vjen me koncert virtual në rrjetin social TikTok

Foto: AP/Associated Press

“Coldplay” e ka paralajmëruar një koncert virtual në rrjetin social TikTok. Koncerti do të mbahet të hënën më 24 maj dhe ka për qëllim ta fushatën bamirëse “Red Nose Day”.

Koncerti do të transmetohet në llogarinë e bendit “Coldplay” në TikTok, pak ditë para mbajtjes së ngjarjes së përvitshme bamirëse “Red Nose Day”, e cila ka për qëllim t’i jap fund varfërisë tek fëmijët.

Performanca e përbërë nga katër këngë do të mbahet në Londër, ku grupit “Coldplay” së fundmi e interpretoi këngën e re “Higher Power”, në kuadër të ceremonisë shpërblyese “BRIT Awards”.

“Fushata ‘Red Nose Day’ bënë gjëra të mahnitshme anembanë votës për t’i mbajtur fëmijët të sigurt, të shëndetshëm, të edukuar dhe të fuqizuar. Jemi shumë të lumtur që do të kemi mundësi ta përkrahim punën dhe angazhimin e tyre, me anë të këtij koncerti”, ka deklaruar bendi përmes një komunikate për media.

Rok grupi i njohur e kishte mbështetur këtë ngjarje të përvitshme edhe në vitin 2015, me pjesëmarrjen në skeçin humoristik “Game of Thrones: The Musical”, pjesë e së cilit ishin edhe aktorët e dramës së famshme të kanalit “HBO”. Projekti 12 minutash u mirëprit nga publiku dhe i mori mbi 35 milionë klikime në platformën “YouTube”.

“Komuniteti i rrjetit social TikTok përbëhet nga adhurues të shumtë të grupit ‘Coldplay’, dhe duam ta falënderojmë bendin që na ka përzgjedhur për këtë performancë intime. Ky është një rast emocionues për audiencën tonë globale, që të dëgjojë dhe shikojë muzikë të mirë dhe kualitative, si dhe njëkohësisht të mbledhim të holla për një fushatë bamirëse e cila bënë punë të mrekullueshme për fëmijët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anembanë botës”, citohet të ketë thënë Ole Obermann, kreu global i muzikës në TikTok.