Showbiz

Coldplay do t’ia paguajë milionat ish-menaxherit që e paditi

Chris Martin

Chris Martin

Grupi muzikor, Coldplay do të paguajë një shumë parash në mënyrë që ta përmbyllë një betejë gjyqësore me ish-menaxherin, pasi ai e kishte paditur duke i kërkuar 10 milionë funte britanike.

Pas më shumë se dy dekadave bashkëpunimi, menaxheri David Holmes dhe grupi Coldplay ndanë rrugët në vitin 2022. Kjo gjë, vitin e kaluar nxiti një betejë të gjatë gjyqësore me ish-shefin, i cili pretendoi se grupi i detyrohej shuma të mëdha parash për albumin e 10-të e atë të 11-të të grupit, të cilët ende nuk kanë dalë në treg, shkruan FemaleFirst.

Por, grupi Coldplay, që udhëhiqet nga këngëtari Chris Martin, kanë ushtruar kundërpadi ndaj tij, duke kërkuar 14 milionë funte britanike, me pretendimin se ai pati humbur kontrollin mbi buxhetin e turneut të tyre “Music of the Spheres”, duke harxhuar më shumë seç duhej, 17.5 milionë funte.

Në dokumentet që u paraqitën në gjykatën në Londër të Britanisë, thuhet se grupi ka rënë dakord që të përmbyll procesin gjyqësor me një marrëveshje private ku do të paguhet një shumë shtatë shifrore në mënyrë që të parandalojnë bërjen publike të detajeve private.

“Chris dhe grupi janë të lumtur që e arritën këtë marrëveshje por ishte mjaft e shtrenjtë pasi iu kushtoi miliona. Ata vetëm duan të përmbyllet”, ka thënë një burim për The Sun.

Dave ka qenë menaxher i grupit për 22 vjet para se të pushohej në vitin 2022, ani pse kishin rënë dakord që ai të vazhdonte kontratën që t’u ndihmonte atyre rreth albumit të 10-të e 11-të.
Coldplay patën deklaruar se kontrata e Dave kishte përfunduar në fund të vitit 2022 dhe vendosën të mos e vazhdojnë më.